500 punime të 40 artistëve të vegjël të realizuara në harkun kohor të një viti u ekspozuan pasditen e së enjtes në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”.
Piktorët e vegjël të art studios “Da Vinci” kishin shprehur talentin e tyre në dhjetëra tablo plot ngjyra, ku zbërthehej bota fëminore.
Edicioni i 9-të i “Duarve të arta” erdhi me një risi.
“Kjo ekspozitë këtë vit vjen ndryshe, sepse na janë bashkuar edhe fëmijët e qendrës Colors, me punimet e tyre plot ngjyrë dhe jetë. Plot 500 piktura të ekspozuara me tematika dhe teknika të ndryshme janë realizuar nga artistët e vegjël. Unë i përgëzoj dhe i uroj shumë suksese në vazhdimësi”,– tha artistja Alketa Tragaj që për vite me radhë drejton me përkushtim art studion “Da Vinçi”.
Ndërsa drejtuesja e qendrës Colors, Adisa Teliti u shpreh e lumtur që fëmijët me aftësi ndryshe u bënë pjesë e kësaj ekspozite.
“Unë besoj se bashkë do të bwhemi një grup i madh, siç jemni bërë sot. Kështu mund t’ia dalim dhe të realizojmë gjëra shumë të bukura”,– tha Teliti.
Për shumë nga vogëlushët e studios “Da Vinçi”, përkushtimi ndaj artit është maksimal, ndërsa ndjekja e kursit të artit vijon prej vitesh.
Piktorët më të talentuar të studios, disa prej të cilëve ishin pjesë e ekspozitës “Java e Evropës” u nderuan me certifikata.
M.B.