DURRËS, 14 prill 2014 – Është saktësuar data e krijimit të Kapitanerisë shqiptare dhe ky është 14 prilli 1914.
Të hënën, 14 prill 2014, ora 12:00, prirë nga rënia e sirenave të anijeve të bregëzuara në portin e Durrësit, në sheshin para ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe Kapitanerisë së Porteve të Shqipërisë, u zhvillua një ceremoni modeste për nder të 100-vjetorit të krijimit të Kapitanerisë së porteve të Shqipërisë.
Ishin të pranishëm 20-25 veta, punonjës të administratës, ndonjë veteran, ish-punonjës kapitanerie etj.
Morën pjesë deputeti i Durrësit dhe ministër i Mjedisit Lefer Koka (LSI); zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës Yll Manjani (LSI); Prefekti i qarkut Rolant Xhelilaj (PS); drejtorët e përgjithshëm ekzekutivë të kompanive publike Autoriteti Portual Durrës sha dhe Hekurudha Shqiptare sha, përkatësisht Selim Belortaja (LSI) dhe Genc Alizoti (LSI); kryetari i shoqatës kombëtare të detarëve “Adri-Jon”, Dashamir Janina; komandanti i Bërthamës Kufitare Detare të Guardia di Finanza me seli në Durrës Kolonel Guarneri etj.
Fjalën e rastit e mbajti kapiteni i porteve Hysni Aruçi.
Përshëndetën zz. Koka e Manjani; drejtori i përgjithshëm i Administratës Detare Gazmir Tahiri; rektori i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës prof. dr. Albert Qarri; ish-kapiteni i përgjithshëm i porteve Vladmir Beja.
Ishin planifikuar vizitë në mjediset e Kapitanerisë dhe një brifing.
Info/ Sipas Shefqet Kërcellit dhe Klodianë Haxhiajt
Pavarësinë Shqiptare e kanë përshëndetur jo pak plot 500 anije të madhësive të ndryshme, të cilat menjëherë filluan të lundronin me flamurin tonë kombëtar.
Në një historik të shkurtër mbi origjinën e kapitanerive, dokument i cili është përgatitur nga ish-kapiteni i përgjithshëm i porteve Vladimir Beja, thuhet se fillimet kjo strukturë i ka në Shkodër e pikërisht në fshatin Obot, i cili kryente tregti të madhe me portet italianë dhe malazeze.
Elementë të përafërt të një autoriteti të ngjashëm me atë të Kapitanerive i gjejmë fillimisht në Portin e Durrësit, rreth vitit 1914, por interesant është fakti që në fshatin Obot të rrethit të Shkodrës, në lumin Bunë, ka funksionuar një inspektorat për kontrollin dhe administrimin e rreth 70 anijeve shkodrane dhe lezhjane që bënin tregti me portet e Triestes dhe të Venecias.
Nga viti 1914 e deri në vitin 1942, vit në të cilin daton edhe krijimi i institucionit të Kapitanerisë, me Kapiten të parë Stefan Goga, i emëruar nga Qeveria e përkohshme, detarët shqiptarë, kanë ushtruar veprimtarinë në ujëra jo pak të turbullta për faktin se pushtimet, luftërat e ndryshme, dhe të njëpasnjëshme, kishin sjellë shkatërrimin dhe djegien e flotës tonë detare. Në verën e vitit 1916, porti i i Durrësit ishte nën pushtimin italian. Në librin “Il corpo delle capitanerie al servizio della nazione”, Romë 1965, fq. 57 shkruhet: “Ushtarëve tanë (italianë, shënim i redaksisë), iu ngarkua nga Kapitaneria e Portit, organizimi i shërbimit në portin e Durrësit.
Brenda 10 vjetësh, në vitin 1927, detarët tanë e ringjallën këtë flotë në mbi 60 anije të llojeve të ndryshme: 60 copë barka e motoveliera të ndërtuara në vend ose të blera si dhe 3 vaporë të sjellë nga jashtë. Ngjarje me rëndësi ishte blerja nga Italia më 25 dhjetor 1925 e 2 anijeve 190 tonëshe, të cilave iu vu emri “Skanderbeg” dhe “Shqiponja”, të cilat shënojnë dhe ditën zyrtare të krijimit të Flotës sonë Luftarake Detare.
KAPITENËT
Kush ka drejtuar në Durrës
Stefan Goga 1942- 1944
Ligor Sava 1944- 1966
Pavllo Nikolla 1966-1968
Haxhi Shehu 1968- 1969
Ligor Sava 1969 -1972
Arqile Papadhimtri 1972- 1978
Qemal Hatellari 1978-1972
Në shkurt të vitit 1945, pranë Ministrisë së Luftës e Mbrojtjes Kombëtare u krijua Seksioni i Marinës Luftarake ku futej krahas Flotës Luftarake-Detare edhe Flota Tregtare, Flota e Peshkimit, portet dhe çdo gjë që kishte të bënte me detin dhe bregdetin. Drejtues i këtij seksioni u caktua Kapiten I, Abdi Mati, një detar i përgatitur në Akademinë Detare të Livornos, Itali, dhe ndihmës i tij ishte oficeri Rudolf Bumçi, një detar me eksperiencë të madhe në fushën e detarisë, që punoi në këtë detyrë të vështirë deri në shkurt të 1947, pasi për arsye shëndetësore u lirua nga kjo detyrë. Në 1944 në krye të Kapitanerisë së Portit të Durrësit, ishte Ligor Sava.
Më 1 janar 1991 u krijua Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve që kaloi në varësi të Ministrisë së Transporteve. Në 1 gusht të vitit 1991, Kapitaneritë e porteve kalojnë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe në qershor të vitit 1998 Kapitaneritë e porteve kalojnë sërish në varësi të Ministrisë së Transporteve, varësi e cila është edhe sot. Janë kapitenë të përgjithshëm të porteve të cilët këtë institucion e kanë drejtuar dhe vijojnë të punojnë në të, ndërsa prej një viti, është krijuar Drejtoria Detare. Nga viti 1991 në krye të kapitanerisë së Përgjithshme ishin Çapajev File, Muharem Trupja, Hamdi Domi, Osman Metalla, Hyqmet Hima, Vladimir Beja, Edmond Doraci, Hysni Aruçi (shih më hollësisht: http://www.durreslajm.com/speciale/kapiteneria-shqiptare-nje-histori-lufte-mbijetese).
Fotoja e 14 prillit 2014 është mirësjellje e Mark Brungës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





