Pasditen e së mërkurës, në portin e Durrësit u zhvillua ceremonia e 25-vjetorit të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s.
Ceremonia u zhvillua në prani të drejtuesve të lartë të këtyre dy institucioneve, ndërkohë i pranishëm ishte dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.
Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza-s Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana dhe ambasadori Bucci vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes Italisë dhe Shqipërisë në të gjitha fushat dhe theksuan se policia shqiptare është një partnere e besueshme dhe profesionale.
Njëkohësisht ata vunë theksin në rëndësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi, shembull i të cilës është edhe anija e re “Osum”, që i shtohet Guardia di Financa-s.

Anija “Osum”, e ankoruar në bankinën nr.4 të portit karakterizohet nga sistemet moderne të komunikimit dhe zbulimit të radarit, por edhe nga aftësia e saj për të siguruar funksionin e policisë detare dhe mbikqyrjen e kufijve detarë kombëtarë dhe evropianë në kushte veçanërisht të ndaluara të motit detar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, theksoi se “pavarësisht se nuk flasim të njëjtën gjuhë dhe nuk i përkasim të njëjtit flamur, kemi një mision të përbashkët, në të mirë të qytetarëve dhe ndaj sot jam krenar që Policia e Shtetit është krah për krah me GDF-në dhe me partnerët, si një organizatë e besueshme dhe profesionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme”.
Gjatë ceremonisë, u zbulua një pllake përkujtimore si dhe u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi momentet më të spikatura të bashkëpunimit ndërmjet Guardia di Finanza-s dhe Policisë Kufitare.





