· Vullnetarët e korpusit të paqes Susan dhe Paul Oupadia, ndihmë shumë të çmuar në ecurinë dhe mbarëvajtjen e laboratorit anatomo-patologjik
DURRËS, 23 prill 2013 – Të enjten, më 23 prill 2015, dy mjekët vullnetarë të Korpusit amerikan të Paqes që bashkëpunuan me spitalin rajonal publik të Durrësit (SRD), kanë përmbyllur misionin e tyre në Shqipëri. Patologia Susan Oupadia dhe kardiologu Paul Oupadia mbajnë mbi supe një përvojë 30-vjeçare në shëndetësi. Ndaj një pjesë të saj ata e ndanë dy vitet e fundit me stafin mjekësor të SRD-së. Ceremonia e përcjelljes dhe falënderimit të dy mjekëve, u organizua nga prefekti i Durrësit Rolant Xhelilaj, i cili vlerësoi punën e tyre dhe tha se ata vërtetuan shprehjen “mjeku në shërbim të popullit”. Kurse drejtorja e SRD-së Ardiola Frashëri theksoi se përvoja e dr. Susan ishte një ndihmë shumë e çmuar në ecurinë dhe mbarëvajtjen e laboratorit anatomo-patologjik. Është për t`u vlerësuar fakti se për këto analiza tashmë pacientët nuk kanë pse shkojnë më në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, duke u kursyer kohë dhe para qytetarëve të Durrësit.
Vet dr. Susan u shpreh se në fillim ishte e vështirë, pasi vinte nga një shtet si Amerika. Por shumë shpejt puna për të mori kuptim në mjediset e SRD-së dhe ajo largohet me shijen e mirë të një stafi mikpritës dhe shumë të kualifikuar mjekësor. Për të dy mjekët u propozua dhënia e titullit Qytetar Nderi.
Sfond
Patologët në laboratorin klinik të spitalit të Durrësit në Shqipëri i shërbejnë një popullsie të madhe pa pajisjet përkatëse. Gjithë kjo gjendje duhet ndryshoi pas dhurimit të një mikroskopi modern nga kompania amerikane “JH Technologies”, distributor sistemesh imazherike optike dhe digjitale, nëpërmjet Korpusit të Paqes. Dërgimi i mikroskopit në muajin mars 2014 në spitalin shqiptar ishte pjesë e një programi të ri të quajtur iFuSe (Inspire Future Scientific Exploration – Frymëzo kërkimet e ardhshme shkencore). Susan Oupadia, doktore e shkencave mjekësore dhe vullnetare e sektorit të shëndetësisë në Korpusin amerikan të Paqes, kujton:
“E kush mund të merrte me mend se në nëntor [2013] do të gjenim një njeri të mrekullueshëm në internet, i gatshëm të rrezikonte për projektin tonë? Z. John Hubacz, nga JH Technologies në Fremont, Kaliforni ishte aq bujar sa të ndërtonte dhe t’i dhuronte një mikroskop me 3 “koka” Korpusit të Paqes në Shqipëri. Një nga kolegët e mi shqiptarë kur pa instrumentin, tha ‘kjo është diçka që mund të shohin vetëm në ëndërr’”.
Në spitalin e Durrësit, mungesa e një mikroskopi mësimor (duhet pasur parasysh se spitali rajonal i Durrësit ka dhe klinikë universitare) frenonte përgatitjen e patologëve të rinj klinicistë, duke ngadalësuar kështu procesin e diagnostikimit dhe duke çuar në mundësinë e dhënies së diagnozave të gabuara.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “JH Technologies”, John Hubacz, tha:
“Sigurimi i këtij instrumenti do të ndihmojë në përgatitjen e këtyre patologëve të rinj që duhen për të mbështetur një nevojë në rritje të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, Korpusi i Paqes është një institucion i madh me histori të gjatë me ndihmat që u jep njerëzve në të gjithë botën. Ne e shohim këtë si mundësi për të mbështetur zhvillimin e mjekësisë në vendet që vuajnë nga një infrastrukturë e dobët mjekësor dhe t’i ndihmojmë në parandalimin e sëmundjeve”.
Më 10 qershor 2014 u përurua laboratorit i ri anatomo-patologjik. Në ceremoni morën pjesë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, drejtues, punonjës të spitalit rajonal Durrës, si dhe vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes për Kujdesin Shëndetësor Paul Oupadia dhe Susan Oupadia, të cilët kanë shërbyer në Shqipëri si konsulentë mjekësorë dhe edukatorë të shëndetit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





