13 menaxherët e parë të Hoteleri-Turizmit janë certifikuar nga akademia prestigjioze e trajnimeve gjermane “Dekra”. Certifikatat janë dorëzuar në një ceremoni të zhvilluar në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, ku morën pjesë drejtuesit e “Dekra Akademi”, ministri Blendi Klosi dhe autoritetet e tjera vendore.

“Në Shqipëri ka vende pune, por duhen profesionistë. Ka plot 31 mijë vende të reja pune, por duhen specialistë të vërtetë, profesionistë për t’u punësuar nga kompanitë e biznesit. Ne e falënderojmë “Dekrën”, për trajnimin e infermierëve shqiptarë dhe të menaxherëve të hoteleve e restoranteve. Trajnimi nga kjo kompani është një pasaportë për punësimin brenda e jashtë vendit, dhe ne shpresojmë që këta të rinj të mos largohen, por të rrinë në vendin e tyre”, tha ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi.

Vlerësime për trajnimin profesional të të rinjve janë dhënë edhe nga presidenti i “Biznes Albania” Luan Bregasi dhe kreu i bashkisë Vangjush Dako.

Shkolla profesionale “Hysen Çela” me 900 nxënës

Me 5 degë të hapura, shkolla e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, rezulton një prej shkollave më të kërkuara nga të rinjtë, dhe më e suksesshmja. Ndërthurja e procesit mësimor, me atë në praktikë, ka sjellë rezultate të shkëlqyera për punësimin e të rinjve që përfundojnë shkollën këtu. Hoteleri-turizëm, teknologji ushqimore, konfeksione, peshkim dhe ekonomik, janë degët ku studiojnë 900 nxënësit e kësaj shkolle. Të gjithë nxënësit e Hoteleri-turizmit, dhe teknologjisë ushqimore, kuzhinierët, paralelisht me procesin mësimor, punësohen në bizneset ku kryejnë praktikën.  

Të rinjtë që ndjekin shkollën për konfeksione, pas përfundimit të shkollës janë një forcë e kualifikuar për punë, ndërsa të tjerë ndjekin rrugën e stilimit. Të gjithë nxënësit e shkollës së kuzhinës punësohen që vitin e parë në restorantet e qytetit e të zonës së plazhit.

Drejtoresha e shkollës teknologjike “Hysen Çela”, Blerina Dervishi, deklaron se nga 700, numri i nxënësve për këtë vit shkoi në 900, si rezultat i kërkesave të larta të të rinjve për t’u regjistruar në këtë shkollë profesionale. Shkolla është model edhe për nga infrastruktura. E rikonstruktuar gjatë periudhës 2014-2015, kjo shkollë është model i mirë i frekuentimit të saj nga të rinjtë, që duan një profesion e një të ardhme të sigurt. 

K.H.