DURRËS, 23 prill 2015 – Mësohet se të enjten, më 23 prill 2015, në drejtorinë rajonale të formimit profesional publik / shtetëror (DRFPP) të Durrësit u ndanë certifikata për 23 kursantë, që përfunduan me rezultate të larta kualifikimin për instalime elektrike.
Tregu i punës në qytetin bregdetar është i etur jo vetëm për instalues elektrikë, por edhe për fuqi punëtore në ushqimin social, në ndërtim, peshkim, teknologji informacioni, industrinë mekanike, argjendari etj. Kështu, në Zyrën e Punës një subjekt privat kërkonte një kimist ushqimor. Një subjekt tjetër kishte nevojë për usta duro-alumini. Një për xhenerik, i cili duhet të ketë njohuri të gjuhës angleze. Një tjetër për tapicier, elektromekanik me eksperiencë për makineri druri. Një autoservis kërkon të punësojë mekanik, teknik diagnostikues. Një biznes fitnesi do instruktor palestre, instruktor noti, instruktor për zumba.
Ka kërkesa për peshkatarë të një niveli të lartë profesional dhe me përvojë të gjatë në peshkimin pellagjik dhe për punëtorë për pastrim peshku. Një biznes argjendarie kërkon të punësojë bërës bizhuterish. Fasonët duan qepës faqe këpucësh dhe rrobaqepës me dhe pa përvojë. Dikush ka nevojë për një kontabilist me eksperiencë, i cili duhet të ketë njohuri të gjuhës angleze dhe të zotërojë patentë makine. Jo vetëm kaq: Një do një financiere, arkëtare, që të ketë njohuri shumë të mira të programit “Alpha”. Po ashtu, ushqimi social ofron punë për picajol, kamerier, banakier, etj.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/