· Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës: Kemi dy standarde në prodhim, një i kontrolluar dhe i monitoruar, njëri në kushtet kur nuk dihet si e ku prodhohet
DURRËS, 10 qershor 2014 – Buka transportohet në bagazhe autoveturash apo në furgonë që nuk plotësojnë asnjë kusht higjienik-sanitar, alarmi jepet nga kreu i sigurisë ushqimore, Bakaj.
Lulëzimi i biznesit të prodhimit të bukës në Durrës, ka nxjerrë në pah dhe problematikat e licencimit, respektimit të standardeve higjienike dhe sanitare si në prodhim, ashtu dhe në transportim dhe tregtim, për më tepër në sezonin turistik, kur qytetin bregdetar e “pushtojnë” me qindra mijëra pushues vendës dhe të huaj.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Afrim Bakaj, në një takim me prodhuesit, “etiketimi i ambalazhit të bukës, duhet të jetë i padiskutueshëm, me qëllim, që çdo konsumator të dijë se bukën e cilës furrë po blen dhe përmbajtjen e saj”
Bakaj paralajmëroi se AKU-ja nuk do të lejojë më që buka të transportohet në bagazhe autoveturash apo në furgonë që nuk plotësojnë asnjë kusht higjienik-sanitar.
Ndërkohë, Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, z. Gëzim Peshkëpia ankohet se në dyqanet, marketet mund të gjenden fare lehtë bukë, që nuk dihet se në çfarë furrash janë prodhuar, në çfarë kushtesh e që sigurisht, veç konkurrencës së pandershme, rrezikojnë edhe konsumatorin.
“Kemi dy standarde në prodhimin e bukës, një i kontrolluar dhe i monitoruar, njëri në kushtet kur nuk dihet si e ku prodhohet, prandaj është e domosdoshme ndërhyrja e AKU-së dhe bashkëpunimi i saj me Shoqatën e Prodhuesve të Bukës”, tha Peshkëpia.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






