DURRËS, 31 janar 2014 – Po rritet dukshëm numri i vjedhjeve “të vogla”, në vend të grabitjes së bankave, në Durrës e Krujë u vihet syri gjërave më “modeste”: pusetave, grilave, bagëtive të imëta, shumë-shumë ca parave e bizhuterive dhe plazmave. Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut Durrës-Krujë njofton se 30 janari 2014 ka shënuar kapjen e 3 hajdutëve (mes tyre një i mitur), por edhe 6 vjedhje të tjera ende pa autorë.
Televizorë
Ora 21.00, u ndaluan Florin K, 22 vjeç, dhe E. A., 17 vjeç, të dy nga Durrësi; po më 30 janar 2014 ka bërë kallëzim Z. M., 55 vjeçe, e cila deklaron se më 7 janar 2014 i kanë vjedhur në lokalin e saj në Plazh një “Samsung” plazma; del se këta të dy janë autorë të vjedhjes së kryer më 22 janar 2014, po në Plazh, ku në lokalin e shtetasit B. H., 48 vjeç, është marrë një televizor LCD; E. A. akuzohet dhe për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa dëshmi. Gjatë natës, persona të paidentifikuar kanë vjedhur me thyerje lokalin e A. H.-së, 45 vjeç, në të cilin kanë marrë një televizor plazma LG 42’. Ora 7.00 paradite, në lagjen nr. 7 Durrës është vërejtur vjedhja e bar-bufesë në pronësi të E. D.; doli se gjatë natës persona të paidentifikuar janë futur nga dritarja dhe kanë marrë dy televizorë të markës LG.
Puseta
Filloi procedimi penal në gjendje të lirë për D. F., 14 vjeç, banues në lagjen nr. 14 Durrës, sepse rreth orës 18.30, në lagjen nr. 14 Durrës, u kap duke hequr një pjesë rrethore hekuri nga pusetat me anë të disa pajisjeve pune, sende këto të cilat u sekuestruan.
Grila
Gjatë natës, persona të paidentifikuar kanë vjedhur banesën në ndërtim e sipër në pronësi të shtetasit B. Z., 68 vjeç, banues në Rrashbull, në të cilën kanë përvetësuar 10 grila plastike të dritareve.
Lekë e stoli
Rreth orës 16.00, në lagjen nr. 18/1 Durrës, është vjedhur nëpërmjet dritares së hapur banesa e Gj. Xh., 42 vjeç, në të cilën është marrë shuma prej 70 000 lekë si dhe disa bizhuteri me vlerë 50 000 lekë. Ora 12.00 e mesditës, në fshatin Hardhishtë, Gjepalaj, u vodh me thyerje banesa e shtetasit S. T., 43 vjeç, i cili jeton aktualisht në Itali. Në këtë banesë janë marrë sende të ndryshme.
Bagëti
Rreth orës 10.00, në fshatin Arameras, Fushë-Krujë, shtetasit B. S., 53 vjeç, i janë vjedhur dy krerë bagëti të imëta në kasollen brenda avllisë së shtëpisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





