Janë vetëm fishekzjarre, por shpesh qytetarëve që u trazohet gjumi në mesnatë, u ngjasojnë me krisma kallashnikovi apo shpërthime me tritol.
E të mendosh që rituali në mesnatë përsëritet shumë shpesh, duke prishur qetësinë publike të një qyteti të tërë.
“Janë të dëmshme për aksidente etj. Duhet të ndalohen, duhet të ketë një orar për hedhjen e tyre. Duken si kallashnikovë”.
“Nuk më duket normale. Fishekzjarre për çfarë?! Po durojmë ato për dasma, për fejesa, por edhe për ditëlindje?! Po ndodhin çdo natë. Trembemi sidomos kur hedhin ato me kallëpe të mëdha, janë si dinamit.”
“Vjen ora 12 e natës vetëm fishekzjarre. Natë për natë… Problemi qëndron në faktin se nuk ke ku ankohesh. Nuk të llogarit askush”. – thonë disa prej qytetarëve durrsakë.
Tregtimi i artikujve piroteknikë jashtë afateve të përcaktuara në ligjin nr.73. të vitit 2021, ka bërë që në 16 muaj (janar 2023 – prill 2024) policia e Durrësit të procedojë penalisht 7 shtetas. Por këto ndëshkime nuk e kanë frenuar traditën e festimit të ditëlindjes me çmendurinë alla shqiptare të plasjes së fishekzjarreve, kur akrepat e orës shënojnë 24.00.
Mosfunksionimin e ligjit e pranoi edhe vetë ministri i brendshëm Taulant Balla, në nëntor të vitit të kaluar.
“Ligji është shumë i qartë. Ligji ka përcaktuar një afat vetëm 15 ditor për tregtimin e pjesës më të madhe të fishekzjarreve, të materialeve piroteknike vetëm nga 15 dhjetori deri më 1 janar dhe po ligji thotë që përdorimi i tyre lejohet vetëm nga data 27 dhjetor deri më datë 1 janar. Ligji tashmë feston 3-vjetorin e miratimit dhe në këto 3 vite asgjë nuk është bërë për zbatimin e tij”- deklaronte ministri Balla më 15 nëntor 2023, kur së bashku me ministren e mjedisit Mirela Kumbaro dhe ministren e shëndetësisë Albana Koçiu firmoste marrëveshjen 3-palëshe për ndalimin e zhurmave në zona të banuara.
Por edhe pas ultimatumit të dhënë nga ministri Balla për Policinë e Shtetit, situata mbetet po njësoj.
Madje qytetarët nuk kanë as besim tek forcat e rendit. Këtë lë të kuptosh përgjigja e dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë për “DurrësLajm”.
“Në Komisariatin e Policisë Durrës nuk ka ankesa të depozituar për hedhjen e mjeteve piroteknike në mesnatë në zona të ndryshme të qytetit”.
Ndërkohë, Policia Bashkiake nuk mund të ndërmarrë asnjë masë për shkelësit e ligjit në mesnatë, pasi ajo mbulon me inspektorët e saj vetëm 2 turne shërbimi në qytet.
Në këto kushte, marrëzia e festave plot zhurmë në mesnatë nuk do të ketë fund.
M.B.





