Për një vit me radhë, ai i dha jetë ëndrrës së tij, të cilën tashmë e sheh të realizuar në formën më të bukur të mundshme.
Shqiponja prej hekuri e punuar nga duart e mjeshtrit Albert Alla të magjeps me përmasat monumentale dhe finesën artistike.

Në punishten e saldatorit të palodhur, në zonën e Spitallës në Durrës, simboli ynë kombëtar është gati të nisë fluturimin.
Me kthetrat e mbërthyera në degën e pemës dhe krahët e harkuar bukur, shpendi gjigand vjen i skalitur mjeshtërisht.
“Vendosa ta bëja, e para se është simboli ynë kombëtar, dhe e dyta për bukurinë që ajo ka, madhështinë që ajo ka. Dhe ky është përfundimi. Doja të ishte diçka madhështore, diçka e rrallë, sepse nuk është bërë herë tjetër në Shqipëri”,- rrëfen Alla për “DurrësLajm”.
Për artizanin nga Pogradeci, që prej 20 vitesh jeton familjarisht në qytetin bregdetar, realizimi i kësaj vepre arti, që peshon rreth 150 kg dhe ka përmasa 4 metra e gjerë dhe 2 metra e lartë ishte edhe një sfidë me veten.
“Punoj në këtë profesion, por jo me këtë punë. Kjo punë është më shumë një “çmenduri” e imja. Shkalla e vështirësisë ka qenë shumë e madhe për të bërë krahët, të nxirrja formën e trupit ashtu siç duhet. Përmasat janë thuajse përmasat reale të një shqiponje madhështore. Çdo detaj i saj, çdo pendë, çdo pupël është e punuar e gjitha me dorë”.


Me një durim të hekurt, siç është edhe metali që ai punon, mjeshtri Alla ka gdhendur një për një mbi 2 mijë pendë metalike që mbulojnë trupin dhe kokën e shpendit krenar të maleve tona.
Detaje të punuara me skrupulozitet, në orët e vona të mbrëmjes, kur familja e tij ishte në gjumë.
“Zakonisht punoja pasditeve, pas orarit të punës, gjatë fundjavave herë pas here. Shpesh kam punuar deri vonë. Të gjitha materialet i kam blerë, i kam punuar me dorë.”
Projekti i radhës është një motor, që sapo ka nisur të marrë formën fillestare, por ka nevojë për shumë punë sfilitëse nga ana e mjeshtrit Alla.
“Për momentin kam në projekt një motor. Do ta bëj me përmasa reale. I kam nisur disa pjesë, por e kam lënë njëherë pas dore, sepse dua të merrem me shqiponjën, dua ta shijoj edhe për pak kohë dhe pastaj pse jo, për ta shitur”,- thotë artizani.
M.B.





