120 euro. Kaq kushton një orë xhiro në det me motorët e ujit në plazhet e vijës bregdetare të Durrësit.
Tashmë, përgjatë gjithë bregdetit durrsak, motorët e ujit janë stacionuar pranë plazheve dhe janë disiplinuar nga pronarët e tyre.
Ato janë një argëtim më shumë për të gjithë të apasionuarit pas shpejtësisë dhe sigurisht për ata që nuk pyesin shumë sesa do të shpenzojnë për pushime.
Ata që argëtohen me këto motorë janë kryesisht turistë të huaj, por edhe pushues shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë.
Për ta, çmimi i një ore argëtim me motor uji është normal, për më tepër që kanë ardhur këtu për të pushuar e për t’u argëtuar, pa llogaritur shumë shpenzimet.





