Durrës, 15 korrik 2014 – Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, hajdutët kanë piketuar për të vjedhur një dyqan riparimi celularësh.

Mesa duket, autorët e kësaj vjedhjeje kanë pasur informacion se në dyqan ndodhej një sasi e konsiderueshme celularësh që qytetarë të ndryshëm i kishin sjellë për t’i rregulluar dhe kështu i janë futur punës.  

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.6, në dyqanin e 29 vjeçarit E.Ll., nga Durrësi, i cili është surprizuar mëngjesin e sotëm, kur ka parë dyqanin të hapur dhe të plaçkitur.

Mësohet se hajdutët kanë vjedhur 10 celularë që ndodheshin në dyqan për t’u riparuar si dhe kanë marrë me vete edhe sende të tjera.

Pronarin e dyqanit, më shumë se vjedhja e pronës së tij, e shqetëson fakti se tashmë do t'i duhet të kompensojë klientët e tij për celularët e humbur.

Nuk dihet ende nëse hajdutët kanë qenë aq fatlumë dhe celularët e vjedhur të kenë qenë të rregulluar dhe në gjendje pune…

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/