Durrës, 4 shtator 2014 – Një ngjarje sa komike, aq dhe shqetësuese për një 40 vjeçar nga Durrësi, të cilit pronari i servisit nuk i kthen më makinën.
40 vjeçari A.B., në muajin korrik ka dërguar makinën e tij për t’i bërë disa riparime në servisin e shtetasit Orgest Verbofshi, banues në lagjen nr.14, Durrës.
Automjeti i markës Asia, me targa italiane, ka qëndruar për disa ditë në servisin e 30 vjeçarit Verbofshi, dhe më pas pronari i mjetit ka shkuar për ta marrë.
Por ndërsa priste të merrte makinën e rregulluar, 40 vjeçari është habitur kur ka dëgjuar pronarin e servisit t’i thoshte se nuk do t’ia kthente makinën.
Kur kanë kaluar më shumë se një muaj e gjysëm nga kjo çështje, 40 vjeçari A.B. është paraqitur në polici për të bërë denoncimin përkatës.
Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal dhe po punon për kapjen e 30 vjeçarit Verbofshi, të akuzuar për “Vjedhje”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





