DURRËS, 19 shtator 2014 –Javë e re me probleme të vjetra të furnizimit me ujë, tani për shkak të punimeve në rrjetin e energjisë elektrike në nënstacionin që furnizon pompat e ujësjellësit të Fushë-Kuqes në rrethin e Kurbinit.
Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë aksionare publike të Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës njofton se, për shkak të punimeve që do të kryhen nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në nënstacionin elektrik në Fushë Kuqe, kjo gjë do të ndikojë në furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin bregdetar.
Riparimet në nënstacion nisin nga ora 08.00 deri në orën 14.00 të ditës së hënë, 22 shtator 2014. Për këtë arsye orari i furnizimit me ujë për qytetin e Durrësit do të ketë çrregullime ditën e hënë, e martë dhe e mërkurë të javës së ardhshme.
Info
BURIMET UJORE
Qarku i Durrësit furnizohet me anë të 13 puseve, 7 puse nga të cilët ndodhen në pellgun ujëmbajtës të Fushë-Kuqes pranë shtratit të lumit Mat me një thellësi rreth 52-56 m dhe 6 puset e tjera ndodhen në basenin e Fushë-Krujës, me një thellësi rreth 60 m.
Këto pellgje ujëmbajtëse garantojnë ujë cilësisht te pastër.
LINJA E TRANSMETIMIT
Linja e transmetimit kryesor e cila shtrihet nga burimi i ujit në Fushë-Kuqe deri në qytetin e Durrësit ka një gjatësi rreth 45 km, me diametër DN 700 mm, e cila punon me anë të 12 pompave centrifugale me rotor të lidhura në seri që përcjellin ujë me presion 33 atm deri në qytetin e Durrësit.
Linja tjetër e transmetimit kryesor, e cila shtrihet nga baseni i Fushë-Krujës, ka një gjatësi rreth 25 km, diametër DN 500 dhe 400 mm, i cili përcjell ujë deri në qytetin e Shijakut.
REZERVUARËT
UK Durrës zotëron gjithsej pesë rezervuarë me kapacitet total rreth 14,200 m3.
Për te zbatuar planin strategjik te shoqërisë për t’u garantuar qytetarëve të saj shërbim 24 orë ujë ne dite, shoqëria po planifikon të ndërtojë rezervuare të tjerë me kapacitet shtesë 14,000 m3.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





