Durrës, 6 prill 2014 – Kanos me jetë kunatën, përfundon në burg. Kështu i ka ndodhur një 51 vjeçari, banues në Durrës që një ditë më parë, pas një konflikti me nusen e vëllait e ka kërcënuar këtë të fundit se do ta “hiqte qafe”. Policia bën të ditur se, pas marrjes së denoncimit nga 30 vjeçarja e kërcënuar, ka arrestuar Arben K., 51 vjeç, mbi të cilin rëndon akuza për konsumimin e veprës penale “Dhunë në familje”.
Ndërkohë po gjatë fundjavës, një tjetër kunatë është dhunuar nga njerëzit e burrit të saj. Mësohet se një 39 vjeçare V.K., nga Durrësi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj motrës së vallait të saj, shtetases Z.K., 30 vjeçe. Kjo e fundit ka bërë denoncimin në polici dhe 39 vjeçarja po ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Dhunë në familje”.
Procedim penal në gjendje të lirë ka nisur edhe për një 45 vjeçar, A.T., banues në Tiranë, sepse në fshatin Shkallnur ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj të dashurës së tij 21-vjeçare. E reja nuk është menduar dy herë për të denoncuar të dashurin e saj, shumë më të madh në moshë. Tashmë 45 vjeçari akuzohet për konsumimin e veprës penale “Dhunë në familje”.
Po gjatë fundjavës, janë plotësuar 3 kërkesa për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së menjëhershme për 3 femra të dhunuara nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët e tyre.
Policia e Durrësit ka dokumentuar rastet e mëposhtme të “Dhunës në familje”:
1. Një shtetase 40-vjeçare, banuese në Durrës, ka denoncuar ish bashkëshortin e saj, shtetasin A.B., 50 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike sistematikisht ndaj saj.
2. Një shtetase 50-vjeçare, banuese në Durrës, ka denoncuar bashkëshortin e saj, shtetasin M. Ç., 50 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike sistematikisht ndaj saj.
3. Një shtetase 61-vjeçare, banuese në Durrës, ka denoncuar bashkëshortin e saj I.M., 60 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





