Durrës, 14 maj 2014 – Në kuadër të kredisë së akorduar nga Banka Botërore për Ujësjellësin e Durrësit, kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, Ing. Spartak Kovaçi, kanë marrë pjesë në konferencën tre ditore “Uji i Danubit”, që është zhvilluar në Vjenë të Austrisë në datat 7-9 maj.

Në  konferencën me temë: “Shërbimet  e ujit: Nga sfidat tek mundësitë”, kanë marrë pjesë drejtues të shoqërive të ujësjellësve dhe qeverisjes vendore, si dhe enteve që janë përgjegjëse për ujin dhe kanalizimet nga vende të rajonit të Danubit si dhe rajonit të Ballkanit.

Pjesëmarrësit kanë qenë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Kroacia, Bullgaria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe Ukraina.

Në këtë konferencë janë diskutuar sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e sektorit të ujit për të gjetur mënyra dhe politika më efikase në menaxhimin dhe trajtimin e këtij sektori. Në ditën e tretë të konferencës, drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizime sh.a Durrës, Ing. Spartak Kovaçi ka qenë në panelin ku është diskutuar për mirëqeverisjen dhe menaxhimin e shërbimit të ujit.

Konferenca në fjalë është zhvilluar në kuadër të programit “Uji i Danubit”. Ky program punon me aktorët rajonalë, kombëtarë dhe lokalë për të promovuar një dialog  rreth politikave e sfidave kryesore me të cilat përballet sektori si dhe forcimin e kapaciteteve teknike dhe menaxheriale të shërbimeve dhe institucioneve të sektorit të ujit. Programi “Uji i Danubit” financohet nga qeveria austriake. Ai kap vlerën 4.5 milion eurove dhe ka kohëzgjatje për tre vjet.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/