Durrës, 21 prill 2014 – Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka përuruar rikonstruksionin e kuartalleve në lagjen nr. 17 të qytetit bregdetar. Pushteti lokal ka kryer në këtë zonë një investim prej rreth 41 milion lekë për rehabilitimin e një hapësire prej rreth 17 mijë metra katrorë. Nga ky investim i bashksië përfitojnë rreth 12 mijë banorë të kësaj zone.
Investimi i realizuar nuk parashikonte vetëm shtrimin e rrugicave të lagjes, por edhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve, vendosjen e ndriçimit si dhe krijimin e sipërfaqeve të gjelbërta që pritet të përmirësojnë cilësinë e jetës së banorëve.
Në fjalën e tij, para banorëve të lagjes, kryetari Vangjush Dako deklaroi se ky investim përmirëson ndjeshëm infrastrukturës së kësaj zone, e cila ndër vite ka pasur problematika të theksuara.
“Kemi kryer një investim të rëndësishëm për rehabilitimin e kësaj zone, ku tashmë infrastruktura është moderne dhe më vjen mirë që banorët e shumtë që takuam na kanë përgëzuar për punën që kemi bërë në këtë lagje. Me një investim prej rreth 41 milionë lekësh kemi rehabilituar përfundimisht të gjithë këtë zonë dhe mbajmë premtimin tonë që banorët të shkelin në rrugë dhe sheshe të asfaltuara. Synimi i punës sonë është që të përmirësojmë sa më shumë cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit dhe ne do të vazhdojmë me të tjera investime të mëdha për përmirësuar sa më shumë infrastrukturën në qytetin tonë”, – tha Dako.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





