Durrës, 27 gusht 2014  –  Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka inspektuar punimet për rehabilitimin tërësor të rrugës “Vath Truja”, në lagjen nr. 14, në zonën e Nishtullës.

Ky është një investim i rëndësishëm që realizohet tërësisht me fondet e Bashkisë së Durrësit. Kryebashkiaku Dako është takuar edhe me dhjetëra banorë të zones, kryesisht të komunitetit rom, që e kanë falenderuar kryetarin e bashkisë për këtë investim të rëndësishëm që përmirëson ndjeshëm infrastrukturën e kësaj zone.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Dako ka deklaruar se rehabilitimi i kësaj rruge përmirëson cilësinë e jetesës së rreth 12 mijë banorëve të kësaj lagjeje.

“Kjo rrugë ka qenë mjaft e degraduar. Ky aks i rëndësishëm i shërben një komuniteti të madh qytetarësh prej afro 12 mijë banorë, kryesisht të komunitetit rom, i cili jeton këtu prej shumë vitesh dhe ka qenë mjaft bashkëpunues dhe mirëkuptues me ne. Tashmë me shtrimin e kësaj rruge me fonde tërësisht të Bashkisë së Durrësit i kemi përmirësuar cilësinë e jetesës qytetarëve të kësaj zone e gjithashtu i krijojmë lehtësi edhe bizneseve të shumta që operojnë në këtë zone. Kam parasysh që këtu ndodhet edhe tregu i shumicës së fruta perimeve. Pas përfundimit të këtij aksi do të vazhdojmë edhe me rrugët lidhëse, për ta hequr përfundimisht baltën edhe nga kjo zonë.” tha Dako.

Rruga “Vath Truja” është një aks me gjatësi 1 kilometër dhe me gjerësi 7,5 metra. Investimi për rehabilitimin e kësaj rruge kap vlerën 38 milionë lekëve. Në këtë aks po kryhen punime të shumta si shtrimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, shtrimi i trotuareve, asfaltimi, ndriçimi dhe gjelbërimi. Punimet kanë nisur në 2 qershor dhe parashikohej të zgjasnin 6 muaj, por në të vërtetë ato janë kryer me ritme të larta dhe do të përfundojnë 2 muaj përpara afatit. Në këtë rrugë janë shtruar 8 mijë metra katror asfalt, 3500 metra katror trotuare, do të vendosen 40 shtylla të larta ndriçimi, 120 pemë si dhe do të ketë sinjalistikë të plotë vertikale dhe horizontale.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/