Durrës, 15 shtator 2014 – Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i ka uruar të gjithë nxënësit e ciklit parauniversitar nga shkolla e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti”.

Kryebashkiaku Dako e ka zgjedhur këtë shkollë edhe për të vazhduar nismën e Bashkisë që ka të bëjë me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytet dhe që konsiston në ndërgjegjësimin e nxënësve për t’i ruajtur dhe shtuar këto sipërfaqe. Nisma e bashkisë është “Çdo shtator një shkollë, një pemë”.

Kryebashkiaku Vangjush Dako në fjalën e tij përshëndetëse, pasi ka uruar të gjithë nxënësit për një vit të mbarë shkollor u shpreh se Bashkia e Durrësit e ka si prioritet përkujdesjen ndaj nxënësve duke u krijuar atyre kushte sa më bashkëkohore në institucionet parashkollore dhe shkollore.

“Ne si Bashki kemi detyrim që të bëjmë maksimumin për t’i krijuar kushte sa më të mira fëmijëve tanë dhe kjo përkujdesje fillon në krijimin e kushteve sa më moderne në institucionet parashkollore dhe shkollore. Dua t’i siguroj nxënësit, prindërit e tyre dhe të gjithë qytetarët e Durrësit që Bashkia e ka prioritet të punës së saj kujdesin maksimal ndaj fëmijëve që janë e ardhmja e shoqërisë dhe e qytetit tonë.”

Pas urimeve të rastit kryebashkiaku Vangjush Dako, i shoqëruar nga drejtuesit e shkollës dhe nga vetë nxënësit, ka mbjellë në oborrin e shkollës në mënyrë simbolike një pemë, në shenjë sensibilizimi për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në qytetin tonë. 

/agjencia e lajmeve ‘Dyrrah”/