DURRËS, 26 maj 2013 –Një fundpranvere me dallgë në fashën bregdetare të qarkut të Durrësit, ndërkohë që në dimër-vjeshtë janë matur në det të hapët dallgë me lartësi të frikshme, mbi 8 metra, që vijnë nga distanca 1350 km.
“Dyrrah”-u po u paraqet internautëve të vet disa informacione që njihen vetëm nga një rreth i ngushtë specialistësh të klimës, por që zbulojnë fakte interesante.
Sipas hidrometeorologëve shqiptarë, në bregdetin shqiptar në përgjithësi dallohen tre tipa dallgësh:dallgë që formohen për shkak të veprimit të erës; dallgë tipi det i vdekur, që krijohen larg zonës së veprimit për shkak se era në çastin e vrojtimit ka pushuar së vepruari, apo ka ndërruar drejtim; dallgë të përziera, të cilat formohen nga prania e njëkohshme e dy tipave të parë.
Nga llogaritjet e realizuara, për zonën bregdetare, për shpejtësi maksimale të erës 15m/s, dallgët më të larta janë ato me drejtime jug, jugperëndim, perëndim dhe veriperëndim, ku janë evidentuar edhe distancat më të mëdha të rendjes së lirë të tyre, 800-1350 km.
Lartësia maksimale e dallgës llogaritëse në det të hapët rezulton 8.10 m në distancë më të madhe për drejtimin e jugut.
Dallgët krijohen në thellësi të detit, ku drejtimi i tyre për në bregdet përcaktohet, jo vetëm nga drejtimi i erës, por edhe nga tiparet morfologjike e hidrologjike të bregdetit.
Nga përpunimi i të dhënave shumëvjeçare të ish-Institutit Hidrometeorologjik rezulton se drejtimet mbizotëruese të dallgëve janë nga jugperëndimi dhe veriperëndimi, ndërsa dallgët më të larta vijnë nga drejtimet jug dhe perëndim dhe vrojtohen në zonën e Kepit të Pallës, ku dallgët maksimale të vrojtuara arrijnë lartësi 4-4.5 m dhe gjatësi 70-80 m.
Shpejtësitë më të mëdha të dallgëve janë 3.4-7 m/sek. në gjirin e Durrësit dhe 5.6-8.3 m/sek. në Kepin e Pallës.
Ditët me dallgëzim dhe lartësia e dallgëve ndryshojnë sipas stinëve dhe janë përgjithësisht me të shumta në vjeshtë e në dimër.
Në tabelë paraqiten ditët me dallgëzim në portin e Durrësit, i cili është i mbrojtur nga veriu dhe dallgëzimi është i shkaktuar kryesisht nga erërat jugore e perëndimore.
Gjithashtu në tabelë jepen konvertimet e ballëve në metra.
Burimi: Arkivi i ish-Institutit Hidrometeorologjik; studimi i Bankës Botërore mbi ndikimin në mjedis për projektin e thellimit të portit të Durrësit; studime për ndikimin në mjedis në funksion të projekteve në ish-Kënetë dhe Porto Romano etj.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





