DURRËS, 14 tetor 2013 – E diela e kaluar në Durrës ishte me mot të qetë, por me një “fortunë truri” nga Italia në teatër. Festivali i Tetë ndërkombëtar i Dansit Modern dhe Kontemporan ka vijuar mbrëmjen e 13 tetorit 2013 me shfaqjen e kompanisë italiane “Bordeline”, e cila solli në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit premierën “Brainstorming” (furtunë truri), njofton eksperti i kulturës, Gëzim Kabashi. Koreografi dhe regjisori Klaudio (Claudio) Malangone, së bashku me kërcimtarin tjetër Vinçenco Kapaso (Vincenzo Capasso), për 30 minuta radhazi, krijuan një marrëdhënie hapësirë-kohë të papërcaktuar duke udhëtuar në një ekuilibër të paqëndrueshëm përmes lëvizjes dhe qetësisë, tingullit dhe heshtjes, pranisë dhe mungesës. Malangone-ja, i vetmi mjek psikiatër në Itali që punon edhe si krijues në fushën e dancit modern, orvatet të sjellë dyzimet e personalitetit njerëzor, duke iu larguar shfaqjes me dramaturgji të përcaktuar dhe duke kërkuar të eksperimentojë me anë të lëvizjes së balerinëve. I mbështetur nga temat muzikore të kompozitorit gjenial gjerman J. S. Bah (Johann Sebastian Bach, 1685-1750), të punuara nga Dario Kazilo (Casillo), si dhe me pamjet video të Ugo Petillos, koreografi – kërcimtar ka përdorur njëkohësisht edhe tekste që vijnë në sfondin e lëvizjes. Shfaqja e artistëve italianë e titulluar “Furtunë e trurit” është një kërkim në fushën e dansit modern dhe vjen pas dy shfaqjeve të para nga trupat zvicerane dhe hungareze. Ditën e mërkurë është radha e kompanisë së baletit “Adarte” nga Sardenja (Itali), e cila vjen me shfaqjen “Elsa”. Edicioni i Tetë i Festivalit ndërkombëtar të Dansit Modern dhe Kontemporan do të përfundojë më 6 dhjetor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





