Tiranë, 7 gusht 2014  – Mbyllja e universiteteve private, por edhe e 63 programeve të studimit në universitetet publike të rretheve, por edhe 7 filiale të tyre ka sjellë panik te studentët dhe stafet akademike.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë takimit me maturantët e Tiranës, ka sqaruar se 7 filialet e universiteteve publike, të cilat kanë marrë vendimin e pezullimit do të vazhdojnë procesin akademik me studentët ekzistues.

Pra, filialit të Universitetit të Tiranës, në Sarandë dhe Kukës, filialit të Universitetit të Mjekësisë, po në këto dy qytete, filialit të Universitetit Bujqësor në Lushnje dhe Gjirokastër, apo filialit të Universitetit të Durrësit në Peshkopi, këtë vit u është hequr e drejta e pranimit të studentëve të rinj, por nuk do të mbyllen, pasi studentët e viteve të tjera do vijojnë normalisht studimet po aty.

Këta studentë nuk do të transferohen në universitete të tjera, siç do të bëhet me studentët e 18 universiteteve private që iu hoq licenca.

Në total janë 63 programe studimi, të cilat nuk figurojnë as në formularin A2, pasi nuk u janë miratuar kuota të reja pranimi për vitin akademik 2014-2015. 

Në Universitetin e Tiranës do të ketë mbyllje të filialeve në Kukës dhe Sarandë, si dhe mbyllje të disa programeve dhe reduktim të kuotave. Në Universitetin e Mjekësisë janë mbyllur filialet në Kukës dhe Sarandë.

Në Universitetin Bujqësor janë mbyllur filialet në Lushnje dhe Gjirokastër.

Universitetit të Durrësit, "Aleksandër Moisiu", i mbyllet filiali në Peshkopi dhe i ulet numri i programeve dhe kuotave, në total i janë mbyllur 6 programe studimi, të cilave qeveria nuk u ka miratuar asnjë kuotë pranimi për vitin e ri akademik, pra nuk do kenë studentë të viteve të para. Por në këto degë do të vijojë normalisht puna me studentët e viteve të mëparshme.

Universitetit "Fan Noli" në Korçë i mbyllet filiali në Pogradec dhe ka mbyllje të tri degëve, pasi këtë vit nuk u është miratuar asnjë degë. Në Shkodër, Akademisë së Arteve nuk i është lejuar të pranojë studentë të rinj në asnjë degë, por ashtu edhe në Universitetin e Vlorës janë pezulluar 7 degë studimi, pasi kanë pasur shumë pak kërkesa edhe në vitet e mëparshme.

E njëjta gjë është bërë edhe në Universitetin e Elbasanit, ku është miratuar mbyllja e 4 programeve të studimit. Po ashtu, edhe Qendra Albanologjike do t'i nënshtrohet një reformimi tërësor, pasi janë vërejtur shkelje të mëdha, ndaj është vendosur jo vetëm pezullim i programeve të studimit.

Tarifa e shkollimit për këtë vit është rritur me 7 mijë lekë, ndërsa janë miratuar 2800 kuota më pak se sa kanë kërkuar universitetet. 

UNIVERSITETET PUBLIKE, 63 DEGËT QË MBYLLEN 

n Universiteti i Tiranës, filiali Kukës 
1. Gjuhë Angleze 
2. Administrim Biznesi 

n Universiteti i Tiranës, filiali Sarandë 
3. Gjuhë Angleze 
4. Administrim Biznesi 

n Universiteti i Mjekësisë, filiali Sarandë 
5. Infermieri e Përgjithshme 

n Universiteti i Mjekësisë, filiali Kukës 
6. Infermieri e Përgjithshme 

n Universiteti Bujqësor, filiali Lushnjë 
7. Menaxhim Agrobiznesi 
8. Financë-Kontabilitet 
9. Hortikulturë 
10. Mbrojtje Bimësh 
11. Menaxhim veterinar (2-vjeçar) 
12. Menaxhim veterinar (2-vjeçar) 

n Akademia e Arteve, Shkodër 
13. Violinë 
14. Piano 
15. Kanto 
16. Kompozim 
17. Dirigjim 
18. Pikturë 
19. Pikturë-Grafik 
20. Dekoracion 
21. Pedagogji Muzikore 
22. Violë 
23. Violinçel 
24. Kontrabas 
25. Kitarë 

n Universiteti "Fan Noli", Korçë 
26. Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe Frënge 
27. Teknologji e Prodhimit Bimor 
28. Mjekësi e Bimëve dhe Hortikulturë 

n Universiteti "Fan Noli", filiali Pogradec 
29. Administrim Biznesi në Turizëm 
30. Mësuesi për Arsimin Fillor Kl. I-VI 

n Universiteti "Aleksandër Xhuvani", Elbasan 
31. Gjuhë Shqipe dhe Rome 
32. Histori dhe Gjuhë Gjermane 
33. Gjuhë Gjermane 
34. Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe Frënge 

n Universiteti "Eqerem Çabej", Gjirokastër 
35. Fizikë dhe Teknologji Informacioni 
36. Matematikë-Fizikë 
37. Gjuhë-Letërsi Italiane 
38. Histori dhe Gjuhë Italiane 
39. Turizëm 

n Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë 
40. Shkenca Aktuaristike 
41. Matematikë Financë 
42. Matematikë Fizikë 
43. Fizikë 
44. Shkenca Kompjutacionale 
45. Kimi 
46. Pedagogji e Specializuar 

n Universiteti "Aleksandër Moisiu", Durrës 
47. Ndihmës Dentist (2-vjeçar) 
48. Agrobiznes 
49. Prodhim Bimor 
50. Prodhim Blegtoral 
51. Menaxhim Hoteleri Turizëm (Program në Gjuhë Angleze) 
52. Multimedia dhe Teknologji Informacioni (Program në Gjuhë Angleze) 

n Universiteti "Aleksandër Moisiu", filiali Peshkopi 
53. Financë-Kontabilitet 
54. Informatikë-Anglisht 
55. Matematikë-Informatikë 
56. Biologji-Kimi 
57. Psikologji-Sociologji 
58. Financë-Bankë 
59. Gjuhë Letërsi-Anglisht 
60. Menaxhim-Marketing 
61. Administrim-Biznes 
62. Infermieri e Përgjithshme 
63. Matematikë-Fizikë 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/