Autoriteti Portual Durrës ka organizuar një dëgjesë publike ku të pranishëm kanë qenë institucione publike dhe grupe interesi që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në port.

Në postimin e APD-së në “Facebook”, bëhet me dije se kjo dëgjesë është zhvilluar në kuadër të zbatimit të investimeve që janë parashikuar në kompleksin portual Durrës-Porto Romano.

Gjithashtu, ditën e sotme janë prezantuar edhe detajet paraprake të projektit që pritet përfundoj brenda pranverës.

Postimi i plotë i APD-së:

Hartimi i Projektit të detajuar Teknik të Portit të ri tregtar në Porto Romano bën bashkë institucionet publike dhe grupet e interesit

Në kuadër të zbatimit të investimeve që janë parashikuar në kompleksin portual Durrës-Porto Romano, Autoriteti Portual Durrës ka nisur të organizojë dëgjesa të vazhdueshme publike me të gjitha grupet e interesit.

Në këtë kontekst, hartimi i Projektit të detajuar Teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano bëri bashkë në një konsultim të hapur përfaqësues të institucioneve publike dhe operatorë privat që ushtrojnë veprimtari në Portin e Durrësit.

Ekipi i inxhiniereve të kompanisë hollandeze Royal Haskoning dhe anëtarët e Këshillit Teknik të Portit prezantuan detajet paraprake të projektit, i cili pritet të finalizohet brenda pranverës, duke u ndalur në:

-Analizën gjeologjike dhe sismiologjike të zonës,

-Studimin e rrymave, dallgëzimit dhe erës,

-Shfrytëzimin efiçent të vend-bregëzimeve dhe hapësirave logjistike.

Të pranishëm ishin drejtues të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, Degës së Doganës Durrës, Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Hekurudhës Shqiptare, dhe operatorë të kompanive private.