Në kuadër të nismës së Bashkisë Durrës, për realizimin në muajin maj të dëgjesave publike lidhur me përgatitjen e buxhetit afatmesëm 2018-2020, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore ka zhvilluar dëgjesën publike të radhës me qëllim prezantimin e paketës fiskale që bashkia ka parashikuar të zbatojë për periudhën 2018-2020.
Kështu, dëgjesa publike e radhës është zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak, Durrës. Në këtë takim kishte një pjesëmarrje të gjerë, ku ishin të pranishëm më së shumti përfaqësues të shoqatës së kontabilistëve, këshilltarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të bizneseve si dhe grupet e interesit.
Këtë takim e hapi nënkryetari i Bashkisë Durrës, Zhulien Varfaj, i cili fillimisht falenderoi pjesëmarrësit që kishin ardhur në këtë takim dhe më pas janë vijuar diskutimet mbi problematikat që janë hasur gjatë zbatimit të paketës fiskale të vitit 2017. Më pas takimin e vazhdoi Lindita Oshafi e cila ndër të tjera theksoi se ky takim është zhvilluar për të diskutuar mbi impaktin që ka pasur në publik paketa fiskale e vitit 2017, që ka filluar të zbatohet që nga janari i këtij viti.
Më pas fjalën e mori Avdyl Koka, drejtori i Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Durrësit, i cili bëri me dije se paketa fiskale është dokumenti bazë i llogaritjes dhe vjeljes së të ardhurave që vijnë nga taksat dhe tarifat vendore. Gjithashtu, Koka theksoi se paketa fiskale e vitit 2017 është përpiluar në mënyrë serioze me ndryshimet përkatëse të cilat kanë marrë shkas nga problematikat që kanë shtruar vazhdimisht subjektet tatimpaguese. Për më tepër, gjatë dëgjesës publike pjesëmarrësit morën njohuri mbi strukturën e paketës fiskale dhe nivelet aktuale të taksave/tarifave si dhe parimet ligjore të ndjekura nga bashkia.
Gjithashtu, gjatë dëgjesës publike nga pjesëmarrësit u ngritën disa çështje për diskutim të cilat kishin të bënin më së shumti me problematikën lidhur me llogaritjen e taksës së ndërtesës për kategorinë “popullatë”, me rishikimin e tarifës së parkimit, rishikim e taksave dhe tarifave për zonën e Spitallës si dhe rishikimin e taksave dhe tarifave për veprimtaritë e fasonëve dhe call center-ave.





