Në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me qytetarë të Durrësit.

Në këtë bashkëbisedim të realizuar në ambientet e Pallatit të Kulturës ishin të pranishëm deputetët e këtij qarku dhe kryetari i Bashkisë Vangjush Dako.

Ministri ishte i drejtpërdrejtë me drejtuesit e institucioneve që nuk i shërbejnë qytetarëve ashtu siç duhet.

“Ata zyrtarë të cilët nuk i përgjigjen njerëzve apo që janë kthyer në një problem për njerëzit, duhet të largohen. Këtu unë e kam mandatin të plotë jo vetëm në autoritetin si ministër por mbi të gjitha mandatin për të adresuar në vend ato probleme që duken dhe janë të akumuluara. Në rastet kur administrata ka mbyllur dyert dhe nuk po reagon, ne jemi të detyruar të marrim masa. Le të bëhet shembull për të tjerët sepse ka tjerë që e bëjnë më mirë atë punë”, tha Gjiknuri.

Në po këtë linjë, ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako drejtuar funksionarëve lokalë në këtë qark.

“Do të mblidhemi prapë. Ai drejtori, nëse nuk do ta ketë bërë për faj të drejtorit të japë llogari dhe të ikë në shtëpi, kushdo qoftë drejtor, i ujësjellësit apo i kanalizimeve. Këto takime janë për të vënë njëfarë drejtësie para atyre njerëzve që i kemi zgjedhur të drejtojnë dhe u kemi dhënë poste publike si administrator. Janë në provë për të treguar aftësitë e tyre, nëse i shërbejnë këtij komuniteti dhe këtyre njerëzve që i kanë zgjedhur. Në momentin që nuk janë të zotët ta bëjnë këtë punë, çka do të dalë nga këto llogaridhënie që ne po bëjmë, do mbajnë përgjegjësi edhe ai drejtori i ujësjellësit nëse se ka sjellë ujin, edhe ai drejtori i elektrikut, edhe ai drejtori i policisë ndërtimore apo kushdo tjetër që mund të pengojë zgjidhjen e problemeve për faj të atij”, këmbënguli Dako.