Rreth 12 milionë lekë të reja do t’i kushtojë buxhetit të bashkisë dekori i festave të fundvitit në Durrës.

Ndërmarrja “Rruga” ka hapur tenderin, i cili këtë vit është rreth 2.5 milionë lekë të reja më i shtrenjtë se një vit më parë.
Në dokumentet e tenderit specifikohen edhe disa prej zbukurimeve që do të vendosen në sheshin kryesor dhe rrugët e qytetit, si psh plaku i borës në formatin 3D me lartësi 3.5 metra, pema e vitit të ri 12 metra e lartë, që do të merret me qira, si dhe shumë dekore festive në fasadat e bashkisë e Qendrës Kulturore si dhe shtyllat e akseve hyrëse në Durrës.

Ndryshe nga vitet 2019 dhe 2020, kur shifra e shpenzuar për dekorin festiv ishte rreth 8 milionë lekë të reja, 2 vitet e fundit rritjet vjetore kanë qenë rreth 2 milionë lekë të reja më shumë.


Vitin e kaluar u shpenzuan 9.7 milionë lekë, ndërsa këtë vit shifra parashikohet të jetë rreth 12 milionë lekë.





