Për dy vjet, qytetarët e Durrësit iu gëzuan shëtitores bredgetare e që u ndërtua në kodrat e Currilave, me inisiativë të Ministrisë së Mjedisit. Ky investim zgjidhi si problemin e bllokimit të rrugës së Currilave nga rrëshqitja masive e dherave, ashtu edhe rrezikun që u kanosej banesave dhe bizneseve nga masivet e dherave dhe baltës që shkëputeshin nga kodrat argjilore. Projekti që u zbatua, duke ndërtuar një shëtitore në lartësi të kodrës, shërbeu si pritë mbajtëse dhe ndaloi rrëshqiptjet. Ndërkohë, u kthye edhe në vendin më atraktiv për të gjithë qytetarët turistët, që cdo mbrëmje e mëngjes gjetën një hapësirë të dedikuar atyre, për shëtitje dhe vrap.
Por, investimi duhet të mirëmbahet vazhdimisht nga Bashkia e Durrësit, e cila e ka në administrim territorin. Lagështira e madhe e ditëve të fundit dhe rreshjet e dendura të shiut kanë bërë që rrëshqitjet e dherave të përvijohen në brezaret e kodrës, që shërbejnë si vend pushimi dhe vrapimi për qytetarët. Ditët e fundit, rrëshqitjet kanë qenë të mëdha, aq sa rrugët janë zënë nga dherat, ndërsa qytetarët i bëjnë apel autoriteteve të marrin masa për të pastruar dherat e për të vënë në shërbim të tyre këto hapësira.
Në disa pjesë, rrugët kanë çeduar dhe dherat kanë rënë poshtë nga disa metra lartësi, duke bërë që qyterët t’i bënë apel autoriteve vendore të rikthejnë vëmendjen në kodrën e Currilave.
Për qytetarët e Durrësit, kjo ishte e njohur si kodra e rrëshqitjeve të dherave dhe e rreziqeve të vazhdueshme, ndërsa për gjithë vizitorët e panumërt nga Tirana apo nga kudo, kjo ishte një goditje në sy që pengonte të shijohej kjo zonë me një potencial kaq të rëndësishëm turistik.
K. H.





