ISHEM, 8 prill 2013 – Është 1500 vjeçare dhe hajdutët e vizitojnë herë pas here. Bazilika mesjetare në fshatin Gjuricaj të komunës Ishëm në Durrës po humbet identitetin e saj. Struktura murale është dëmtuar. Kollonat e mermerta janë rrëzuar. 

Eda Çekrezi, arkeologe, pranon gjendjen e rëndë dhe rendit shkaqet që e çojnë këtë bazilikë drejt shkatërrimit. Sipas arkeologes, bazilika është ndërtuar mbi një sipërfaqe të pjerrët kodrinore me strukturë argjilore. Kjo ka bërë që vendi herë pas here t’i nënshtrohet fenomenit të erozionit. Situate bëhet më dramatike sidomos gjatë stinës së dimrit, kur regjistrohet sasia më e madhe e reshjeve.

Inventari arkeologjik i kësaj qendre historike është i pasur. Gjatë gërmimeve të para u gjetën materiale me vlera të rralla, të cilat dëshmonin se bëhej fjalë për një qendër të rëndësishme tregtare në lidhje me portin e Shufadasë, rreth 8 km më larg derdhjes të lumit Ishëm.

Për të mbrojtur këtë trashëgimi kulturore të Durrësit dhe jo vetëm, Çakrezi kërkon ndihmën e çdo banori të zonës.  Sipas saj, është e pamundur që drejtoria Rajonale e Monumenteve Kulturore në Durrës të ruajë të gjithë objektet me anë të personelit, pasi duhet më shumë staf e fonde. Ndaj në të tilla kushte Çakrezi kërkohet më shumë ndërgjegjësim dhe bashkëpunim nga banorët e zonave ku janë ngritur këta monumente. Për turistët kjo bazilikë është e panjohur.

Monumenti është një kishë e tipit bazilikë, ndërtuar prej guri me breza prej pesë rradhë tullash të lidhura me llac gëlqeror. Një pjesë e tullave ruajnë në faqe vula në trajte kryqi ose ylli gjashtë cepash në reliev të ulët. Kjo bazilikë dallohet për praninë e elementëve arkitektonikë si kapitele, imposte, kolona, pllaka ikonostasi etj., me cilesi te larte dhe shije artistike.

Janë gjetur gjithashtu edhe tasela mozaiku dhe fragmente afreskesh. Duke u bazuar në gjetjet arkeologjike dhe teknikat e punimit të elementëve, autori i gërmimeve, arkeologu Halil Myrto, e datoi ngritjen e kësaj bazilike në fillimet e shek. VI pas Kr. Prania e kësaj bazilike është e lidhur me emrin “Pazare” të zonës poshtë kodrës së Gjuricaj, duke nënkuptuar ekzistencën e një tregu të madh, që mund të ketë qënë organizuar pranë kësaj kishe.

Aktualisht ajo vizitohet vetëm nga bagëtitë e banorëve të zonës. Për praninë e bazilikës në këtë zonë nuk të njofton asnjë talebë orientuese. Specialistët justifikohen me grabitjet apo dëmtimin e tyre nga banorët e zonës.

Arkeologët kërkojnë ndihmën e banorëve për ta mbrojtur nga grabitësit

Grabitja e tabelave sinjalizuese nga keqbërës për t’i shitur më pas, sipas Çakrezit, është kthyer në një shqetësim, pasi sa herë që ato vihen jo vetëm në Ishëm një zonë jo shumë e survejuar nga strukturat policore e vendore, por edhe në qytetin e Durrësit vidhen apo dëmtohen. Ishmi trashëgon një pasuri kulturore të mjaft pasur.

Në të gjithë komunën janë të shumta objektet arkeologjike dhe ato historike si kalaja e Rodonit, e njohur ndryshe si rezidenca e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbu, kisha e Shën Ndout, Kalaja e Ishmit, Kulla e Memoriali i Ibrahim Kodrës etj. Të gjitha këto objekte janë shpallur monument kulture dhe mbrohen nga shteti. Por pavarësisht kësaj, të vjen keq që e gjithë kjo pasuri po shkon drejt shkatërrimit, pasi nuk janë marrë masa mbrojtëse ndaj tyre. 

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/