Poliklinika e specialiteteve në Durrës përballet çdo ditë me një numër mjaft të madh pacientësh, jo vetëm nga qyteti, por i gjithë rrethi.
Rradhë të gjata krijohen nga të sëmurët, që presin për orë të tëra për t’u vizituar tek mjeku specialist.
Qytetarët shprehen se presin në radhë deri në mesditë për të bërë një vizite mjekësore apo një eko të thjeshtë tek kardiologu.
DurrësLajm e ka trajtuar edhe më herët këtë problematikë, por situata vijon të mbetet e njëjtë, madje një qytetar denoncon faktin se vetëm pasi i dha para, mjeku pranoi t'i bënte ekon.
Thuajse të gjithë pacientët e qytetit bregdetar, por edhe ato nga rrethinat apo ndarjet administrative si Shijaku, Ishmi, Gjepalaj, Sukthi, Maminasi etj., vijnë për të marrë shërbimin shendetësor, duke krijuar radhë të gjata para zyrave të mjekëve dhe në korridoret e poliklinikës.
E si të mos mjaftonte kjo, në poliklinikën e specialiteteve ka mungesë të mjekëve specialistë, kryesisht të kardiologëve të zemrës. Shkak për këtë situatë është bërë mungesa e personelit dhe dyndja e qytetarëve, pasi është e vetmja poliklinikë për specialitetet në Durrës.
Në poliklinikë dynden po ashtu edhe një numër i madh qytetarësh që kryejnë vizitat për pajisjen me dokumentacionin e lejes së drejtimit, apo që duan t’i rinovojnë ato.
K.H.