Pandemia Covid-19 ka rritur shifrat e pacientëve të prekur nga diabeti, ashtu siç ka ndodhur edhe me patologji të tjera kronike. Fakti u pranua nga mjeku endokrinolog Eduard Spahiu.

“Ne përpiqemi që të sensibilizojmë, të rrisim kujdesin ndaj pacientëve me diabet, që ata të jenë më të kujdesshëm, ta kontrollojnë më mirë sëmundjen se është parë që gjatë kësaj kohe të sëmurët me diabet që janë më të kontrolluar kanë një ecuri më të mirë të sëmundjes përsa i përket Covid-19”,- tha mjeku Spahiu.

Mjekja e Spitalit Rajonal Durrës, Lindita Dedej u bëri apel pacientëve që vuajnë nga diabeti të bëjnë vaksinën për Covid-19, pasi statistikat kanë treguar se të sëmurët me diabet që nuk janë vaksinuar e kalojnë shumë më rëndë koronavirusin.

Jemi shumë prapa me vaksinimet. Vaksinohuni pasi pacientët me diabet e kalojnë shumë më rëndë këtë virus dhe kemi parë që ata që janë të vaksinuar kanë një ecuri më të mirë“,- tha mjekja Dedej.

Diabeti është një sëmundje që prej vitesh po prek shumë edhe moshat e reja, prandaj mjekët rekomandojnë një ushqyerje të shëndetshme dhe marrjen me aktivitet fizik. Ata këshillojnë konsumimin e ushqimeve me pak sheqer, yndyrë dhe kripë dhe të pasura me fibra.