DURRES – Deputeti Igli Cara ka denoncuar në një postim në profilin e tij në Facebook gjendjen mjaft të vështirë të shumë shkollave të qytetit të Durrësit, të cilat mëngjesin e sotëm janë gdhirë të përmbytura nga reshjet e shiut. Situata më e rëndë sipas deputetit demokrat është verifikuar në shkollat “Hasan Koçi”, “Olsi Lasko” dhe “Jan Kukuzeli”, të cilat e kanë pasur të pamundur të zhvillojnë procesin mësimor.

Për gjendjen e krijuar deputeti Cara fajëson bashkinë e Durrësit e cila sipas tijnuk ka vizionin, prioritetet dhe projektet e duhura për ta zgjidhur këtë problem”. Reagimin e tij kreu i degës së PD-së së Durrësit e ka shoqëruar edhe me një mori fotot që faktojnë realitetin me të cilin janë përballur mëngjesin e sotëm mijëra nxënës e mësues të qytetit tonë.

“Kjo ishte gjendja e disa prej shkollave të qytetit tonë në këtë mëngjes. Shkollat “Hasan Koçi”, “Olsi Lasko” dhe “Jan Kukuzeli”, por jo vetëm ato, ishin të përmbytura. Mijëra nxënës nuk patën mundësi të zhvillonin mësimin. Për fatin tonë të keq, kjo është një situatë që përsëritet e ripërsëritet prej disa vitesh. Sa herë që ka reshje, shkollat përmbyten dhe kjo, në fakt, ndodh prej aq vitesh, sa Bashkia e Durrësit nuk ka vizionin, prioritetet dhe projektet e duhura për ta zgjidhur këtë problem. Fëmijët tanë meritojnë më shumë dhe ne duhet t'u sigurojmë atyre më të mirën”,- shkruan Cara.

Nga ana tjetër deputeti demokrat, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit, deklaron se ka ardhur koha që kjo gjendje të ndryshojë e për këtë ai shprehet se gjatë diskutimit të buxhetit të këtij viti përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak do të ushtrojnë presionin e duhur që projektet që do të miratohen nga ky këshill të kenë prioritet përmirësimin e kushteve në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme të qytetit.

“Të gjithë bashkë ne duhet të sigurohemi që prioritetet e Bashkisë së Durrësit të jenë prioritetet tona, prioritetet e qytetarëve të këtij qyteti. Prej vitesh, shkollave, Bashkia ka harruar se duhet t’u sigurojë kushte më të mira për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë; prej vitesh shkollat as nuk mirëmbahen e as nuk rikonstruktohen. Kjo gjendje duhet të ndryshojë!
Le ta fillojmë që nga përqasja e Këshillit Bashkiak të Durrësit me buxhetin që Bashkia do të përgatisë për këtë vit. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak duhet të kenë, dhe do të kenë, parasysh edhe gjendjen e shkollave që, kur të diskutojnë buxhetin Bashkisë për këtë vit, të ushtrojnë presionin e duhur që vendimet të jenë sa më të drejta dhe të vendosin si prioritete ato projekte për të cilat ne të gjithë kemi më shumë nevojë”,- shkruan Cara.