· Komanda e Forcës Detare në Plepa njofton me vonesë vizitën e anijes dhe nuk kupton gjeostrategjinë, pasi nuk e di që USS Donald Cook (DDG 75) në përbërje të Flotës së Gjashtë është një nga 4 destrojerët që zbatojnë planet e Shtëpisë së Bardhë dhe se personeli do të diskutojë për sigurinë rajonale me përfaqësues të Ambasadës në Tiranë dhe të qeverisë shqiptare
DURRES, 28 qershor 2014 – Mbrojtja anti-raketë e Evropës dhe siguria në rajon do të diskutohen në Durrës, mbërrin në portin e Durrësit një luftanije e pajisur me raketa të drejtuara balistike, që jo vetëm do të trajnojë marinën shqiptare, por do të afrojë kokë më kokë diplomatët e shtetit më të fuqishëm të botës me qeveritarë dhe ushtarakë shqiptar; vizitën e destrojerit e shoqëron një deklaratë e Departamentit amerikan të Shtetit që përshëndet dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE.
Ka mbërritur më 26 qershor 2014 për një vizitë treditore në portin e Durrësit destrojeri amerikan me raketa të drejtuara USS Donald Cook (DDG 75).
Sipas njoftimit të Marinës Amerikane, kjo vizitë shërben për vazhdimin e mëtejshëm të përpjekjeve të Flotës së 6 në përbërje të Forcave Detare të SHBA në Evropë e Afrikë për forcimin e partneriteteve detare me qëllim rritjen e stabilitetit rajonal.
Gjatë qëndrimit të anijes në port, detarë të USS Donald Cook do të bëjnë shkëmbim operacionesh për pengime / ndalime / bllokime në det me homologët e tyre të Forcës Detare të Shqipërisë, Policisë Kufitare dhe Shërbimit Doganor.
Oficerë të lartë dhe zyrtarë të marinës amerikane, ambasadës amerikane si dhe të qeverisë e ushtrisë shqiptare do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet mes dy vendeve, thotë Marina e SHBA.
Këto shkëmbime dhe diskutime do të ndihmojë në ndërtimin e të kuptuarit të komandimit në taktikat detare dhe rritjen e profesionalizmit, mirëkuptimin kulturor dhe besimin midis marinave amerikane dhe shqiptare, thuhet në komunikatë e Marinës së SHBA.
Po ashtu vihet në dukje se Donald Cook është i pari nga katër destrojerët e klasit Arleigh Burke të zhvendosur më parë në Rota, Spanjë, për të shërbyer si pjesë planit të presidentit amerikan z. Barak Obama të vitit 2009 për mbrojtjen me raketa balistike në Evropë, që njihet ndryshe si EPAA (European Phased Adaptive Approach).
Flota 6 e SHBA, me komandë në Napoli, Itali, kryen spektrin e plotë të operacioneve të përbashkëta dhe detare, shpesh në bashkëpunim me partnerë aleatë, të përbashkët dhe ndërinstitucionalë, lidhur me përparimin e interesave kombëtarë amerikanë dhe sigurinë, si dhe për stabilitetin në Evropë dhe Afrikë, thotë Marina amerikane.
Kurse Komanda e Forcës Detare në Plepa njofton me shumë vonesë dhe mjaftohet me faktin se “vizita është në kuadrin e shkëmbimeve të eksperiencës ndërmjet Marinës amerikane dhe Forcës Detare shqiptare”.
Plepat thanë se “destrojeri është pritur dhe shoqëruar për në ujërat territoriale nga anijet e Forcës Detare me të cilat do të zhvillohen stërvitje të përbashkëta, që kryesisht do të fokusohen në taktikat e bordingut dhe të afrimit të anijeve të dyshimta”.
Me sa duket, komandanti i Forcës Detare Gjeneral Brigade Qemal Shkurti, për shkak se është kmëbësor, jo vetëm që nuk kupton thellë detin, por as gjeostrategjinë, teksa vetë Marina Amerikane, sikurse u tha më sipër, nuk sekret faktin se oficerë të lartë dhe zyrtarë të marinës amerikane, ambasadës amerikane si dhe të qeverisë e ushtrisë shqiptare do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet mes dy vendeve dhe ky destrojer bën pjesë në planet e Shtëpisë së Bardhë për mbrojtjen anti-raketë në Evropë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





