DURRËS, 30 maj 2014 – Ja pse është i cekët plazhi i Durrësit: shkak janë depozitimet gjeologjike të vjetra, duke mbuluar dhe pjesë të tëra të qytetit antik; madje duke i nxjerrë punë portit për thellime: trashësia maksimale e këtyre depozitimeve arrin 48 m, 6 km në jug të qytetit të Durrësit; trashësia rritet sipas një gradienti rreth 4.5-12 mm për një kilometër, duke shkuar drejt thellësive më të mëdha të detit! – thotë shkencëtari famshëm, gjeofizikani prof. Alfred Frashëri (në foton poshtë).
PËRTEJ KURESHTJES/ DETYRA E QEVRISJES VENDORE
Planifikimi urban, si një veprimtari komplekse, natyrore, inxhinierike, klimatike, biologjike, sociale dhe legjislative, e shoqërisë njerëzore të civilizuar, mbështetet në radhë të parë mbi mjedisin gjeologjik dhe ekosistemet e lidhur me të.
Përtej një kureshtjeje, “Dyrrah”-u citon prof. Frashërin si një këmbanë alarmi dhe për pushtetin vendor:
“Studimi i gjeomjedisit, i ekosistemeve që lidhen më të dhe impakti mbi gjeomjedis, roli i gjeofizikës inxhinierike dhe mjedisore është i pazëvendësueshëm në kompleksin e studimeve. Veprimet e njeriut për të ndryshuar natyrën sa vijnë dhe bëhen më të shumta dhe më intensive, çka lidhet me shtimin e popullsisë, me përqendrimet e shumicës së popullsisë në qytetet e mëdha, me zhvillimin e industrisë dhe të bujqësisë, më zhvillimin e turizmit. Kështu, njeriu ndërhyn dhe ndryshon bregdetin, lumenjtë, than kënetat, ndërton në shpate malore, kryhen shpyllëzime, ndërtohen qytete etj. Sistemet Gjeologjike janë komplekse, janë sisteme dinamike në të cilët ekuilibri është i vendosur nëpërmjet shumë variableve. Manipulimi i këtyre sistemeve, duke shkaktuar shkatërrimin e ekuilibrit, sjell rezultate me efekte negative serioze, disa me efekt veprimi kohë shkurtër, të tjerë me efekte katastrofike e të pakthyeshme, që veprojnë për kohë të gjatë”.
6 KM NË JUG TË QYTETIT…
Bregdeti i Adriatikut, nga Vlora në jug e deri në gjirin e Drinit në veri, përfaqëson kryesisht një bregdet grumbullues dhe me sektorë zhytjeje, në të cilët vërehet hyrja e detit drejt steresë.
Hapësirat grumbulluese përfaqësojnë pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar.
Në gjiret e veriut, mbizotëron rëra e trashë; duke shkuar drejt pjesës jugore të bregdetit të Adriatikut, fillojnë gjithnjë e më tepër të mbizotërojnë rërat mesatare dhe të imta.
Trashësia maksimale e depozitimeve detare kuaternare, sipas të dhënave të hartografimit gjeologjik nënujor dhe të sondimeve elektrike detare, është vrojtuar në pjesët qendrore të gjireve.
Trashësia maksimale e këtyre depozitimeve arrin 48 m, 6 km në jug të qytetit të Durrësit.
Trashësia rritet sipas një gradienti rreth 4.5-12 m në një kilometër duke shkuar drejt thellësive më të mëdha të detit.
Procesi i grumbullimit të sedimenteve dhe i mbathjes së bregdetit është më intensiv në grykëderdhjet e lumenjve.
Mbushje tipike janë ato në grykëderdhjet e Matit, Ishmit, Erzenit, Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës.
Në hapësirat e grumbullimit, takohen edhe sektorë të vegjël, ku, nga rrymat detare ose nga vazhdimi i rrjedhës nëndetare të lumenjve në grykëderdhjet e tyre, ndodh gërryerje e bregdetit.
Tipike është gërryerja e bregdetit që zhvillojnë ujërat e lumit të Darçit në sektorin bregdetar të Golem-Karpen në gjirin e Durrësit, duke pasur një amplitudë gërryerjeje deri 0.5 m/vit.
Në cekëtinën bregdetare janë hartografuar nga vrojtimet komplekse gjeologo-gjeofizike detare, batlla ranorësh-argjilash tortoniane.
Durrësi–Kepi i Pallës është segmenti tipik gërryes i bregdetit shqiptar të Adriatikut.
Një brez rëre me gjerësi rreth 2.5 km shtrihet paralel me bregun në cektinën bregdetare.
Sipas vrojtimeve komplekse detare gjeologo-gjeoelektrike janë hartografuar batllat nëndetare të shkëmbinjve rrënjësorë.
Në këtë zonë janë gjetur edhe objekte arkeologjike të mbuluara nga uji i detit.
Krahu ngritës i kësaj thyerjeje ndodhet në drejtim jug-lindor, midis grykëderdhjes së lumit të Ishmit në jug të plazhit të Patokut dhe në kodrat e Rodonit.
Dukuri zhytëse është vrojtuar edhe në Porto Romano, në veri të qytetit të Durrësit, midis tij dhe Kepit të Pallës.
Në zonat zhytëse janë vrojtuar faktorë kompleksë të evolucionit të vijës bregore: veprimtari neotektonike, gërryerje nga rryma detare dhe grumbullimi i ngarkesës së ngurtë dhe i sedimenteve nga bregdeti që gërryhet.
Këta faktorë, kanë shkaktuar ndryshime të rëndësishme në gjeomorfologjinë e bregut të detit, të cekëtinës bregdetare dhe në panoramën e steresë, thotë prof. Frashëri (shih më gjerë http://itc.upt.al/~nfra/GjeofizikaInxhinierike/Kreu%206%20Studimi%20i%20gjeomjedisit%20dhe%20monitorimi%20sistemeve%20natyrore.pdf)
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





