DURRËS, 17 shkurt 2014 –Shqiptarët duan vetëm çuna dhe janë gati që të detyrojnë gratë të dështojnë fëmijën e gjinisë femërore, si dhe fakti që OKB-ja e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve me numër të lartë abortesh përzgjedhëse, ka sjellë në Durrës, në spitalin rajonal, një grup xhirimi të televizionit gjerman  Deutsche Welle për reportazhin e radhës në Shqipëri.

Burime zyrtare nga ky institucion publik mjekimi thonë se gazetari Alexander Feist, së bashku me grupin e tij po realizojnë një emision mbi abortin selektiv në Shqipëri.

Kureshtarë mbi këtë fenomen që po sjell edhe ndryshime në raportin femra-meshkuj, profesionistët gjermanë biseduan dhe intervistuan mjekë të spitalit dhe nëna të reja të shtruara në maternitet.

Për rreth dy orë ata vizituan mjediset e spitalit dhe veçanërisht maternitetin, ku vlerësuan kushtet optimale, me të cilat trajtohen nënat dhe foshnjat.

Info

OKB-ja ka listuar vendet ku bëhen aborte përzgjedhëse: Afganistan, Armeni, Azerbajxhan, Bangladesh, Gjeorgji, Indi, Kinë, Mal i Zi, Nepal, Pakistan, Kore e Jugut, Shqipëri, Singapor, Vietnam                                                                                      

Praktika e aborteve selektive, ajo që kryhet kur mësohet se fëmija që pritet të vijë në jetë, është i seksit femër, deri më sot kryhej në vendet e Orientit, siç mund të përmendim këtu Kinën.

Kjo praktikë po përhapet si pasojë e varfërisë edhe në pjesën jugore të Evropës, duke prekur vende si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi.

Nga të dhënat del se në këta vende, përqindja e foshnjave të seksit femër, prej disa vitesh ka pësuar një ulje të ndjeshme.

Pikërisht këto shifra flasin se tashmë praktikohet një lloj “selektimi në paralindje”, që çon më pas në eliminimin e foshnjave të seksit femër.

Në Shqipëri raporti është 111 meshkuj për 100 femra, në Maqedoni 110 me 100 dhe këto shifra paraqiten edhe në Malin e Zi dhe në Kosovë, duke ndjekur njëra-tjetrën me pak diferencë.

/th. m. agjencia  lajmeve “Dyrrah”/