Durrës, 13 maj 2014 – Një 78 vjeçare nga Durrësi i është drejtuar për ndihmë efektivëve të rendit pas dhunës së vazhdueshme që dhëndri i saj, 59 vjeçar ushtronte mbi të.
Burime policore bëjnë të ditur se 78 vjeçarja ka deklaruar para forcave të rendit, se që nga vdekja e vajzës së saj, dhuna e dhëndrit, qoftë fizike qoftë psikologjike, ishte shtuar së tepërmi. E moshuara jetonte vetëm me dhëndrin A.Z., 59 vjeç, pas vdekjes së vajzës, dhe ky i fundit i bënte presion të vazhdueshëm që të ikte nga shtëpia e tij.
Mësohet se kohë më parë, 78 vjeçarja jetonte bashkë me çiftin dhe fëmijët e tyre në një shtëpi private, por pasi ia kishin dhënë tokën një firme ndërtimi për të ngritur pallat, ata ishin sistemuar në një apartament pas konvertimit të sipërfaqes së truallit me sipërfaqe apartamenti.
Dhëndri e kishte regjistruar apartamentin në emër të tij, e që nga vdekja e nuses, i thoshte të moshuarës të largohej, madje nuk kanë munguar edhe rastet kur ai ka vënë dorë mbi vjehrrën për ta detyruar të ikë nga shtëpia.
Kjo e fundit, në pamundësi të një strehimi tjetër, është detyruar të durojë dhunën dhe grindjet e përditshme me dhëndrin. Por duket se dhuna fizike dhe psikologjike e ditëve të fundit ia kanë nxirë jetën vjehrrës, e cila i është drejtuar komisariatit të policisë, për të kërkuar urdhër mbrojtjeje ndaj dhëndrit dhunues.
Pas denoncimit të vjehrrës së tij, efektivët e rendit kanë shoqëruar në komisariat 59 vjeçarin A.Z., për sqarime të mëtejshme, ndërkohë që kanë plotësuar Kërkesë – Padinë për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për të moshuarën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





