Durrës, 12 mars 2014 – Vajza rreh nënën. Ky është një nga rastet më të fundit të dhunës në familje, që mbetet një fenomen shqetësues në Durrës. Thuajse çdo ditë, në njoftimin për shtyp të policisë vihen re 2-3 apo dhe më shumë raste të dhunës në familje, fizike apo psikologjike. Në harkun kohor të 24 orëve të fundit në qytetin bregdetar janë denoncuar 3 raste dhune, mes të cilëve tërheq më shumë vëmendjen denoncimi i bërë nga një 65 vjeçare, e cila ka paditur në polici as më pak e as më shumë po vajzën e saj 23 vjeçe K.D. Sipas të moshuarës, ajo dhunohej nga vajza e saj, e në pamundësi për t’i zgjidhur konfliktet në familje u është drejtuar forcave të rendit për ndihmë. Policia ka plotësuar Kërkesë Padinë për Lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes për këtë rast dhe materialet i kanë kaluar gjykatës.

Ndërkohë një tjetër rast i dhunës në familje, por këtë herë me pasoja më të rënda për të dëmtuarën është depozituar nga një 30 vjeçare, e cila është dhunuar nga bashkëshorti i saj. Duket se konflikti brenda mureve të shtëpisë ka degjeneruar në rrahjen e bashkëshortes nga 30 vjeçari Përparim T., nga Durrësi, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal për veprën “Dhunë në familje” dhe po punohet për kapjen e tij.

Nga dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar nga bashkëshorti nuk ka shpëtuar as një 25 vjeçare, e cila ka denoncuar para efektivëve të policisë bashkëshortin e saj B.H., 31 vjeç.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/