Dy jo-durrsakë, një nga Sauku dhe një nga Fieri, për 40 euro, kanë goditur me grushte dhe mjete të forta pushuesit nga trojet etnike
DURRËS, 22 gusht 2013 – Katër kosovarë që kanë ardhur për pushime në plazhin kryesor të vendit janë dhunuar fizikisht me grushte dhe mjete të forta kur po këmbenim 40 euro. Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut njofton se qysh në orën 3 të mëngjesit të 22 gushtit 2013 u arrestua në flagrancë shtetasi I. B, 22 vjeç, banues në fshatin Sauk të Tiranës dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj F. Gj., 21 vjeç, banues në Fier për veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe ushtrimit pa licencë të veprimtarisë bankare. Me sa duket, dy të rinjtë “jabanxhinj” e kanë parë plazhin e Durrësit si mundësi për të “rrjepur” pushuesit gjatë thyerjes së valutës. Ata kanë bërë sherr më 21 gusht 2013, rreth orës 20.00, në sektorin Iliria të Plazhit, me katër shtetas të moshave nga 23-45 vjeç, nga Ferizaj Kosovë. Konflikti ka filluar gjatë këmbimit të një shume prej 40 eurosh. “Trimat” 22 dhe 21 vjeç nga Sauku dhe Fieri kanë goditur me grushte dhe mjete të forta pushuesit kosovarë, duke u shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Materialet hetimore iu përcollën prokurorisë së rrethit gjyqësor të Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





