Nga Gëzim Kabashi

Durrës, 28 mars 2014 – Tani që kodrat e Durrësit janë mbushur me godina shumëkatëshe dhe gjithfarësh është e vështirë të kuptosh se çdo të thotë “Hajde të shkojmë te fiqtë e Dilaver Rexhës”. 60-70 vjet më parë mjafton të vrapoje në rrugën më të afërt, që mund të dilte nga “12 shkallët e Currilave”, apo mes për mes varrezave të katolikëve mbi bibliotekën e qytetit, apo edhe nga kisha ortodokse e Shën Gjergjit.

Të gjitha këto shtigje, njëlloj si rruga bregdetare që nis pranë portit të çojnë në Kallm, atje ku që në fillimin e viteve 1930 do të gjeje djemtë e Rexhve. Askush nuk e di se cili i thirri për herë të parë “Djemtë e detit”, por një gjë është e sigurtë, miqtë e xha Dilaverit filluan të harroheshin dhe shokë e miq të rinj hynin në ujë dhe viheshin në krah të gjashtë djemve vëllezër, me mbiemrin e njohur në Durrës. Osmani, Islami, Dauti, Shyqyriu, Shuaipi dhe Rasimi, nuk jetojnë më. Por, durrsakët i kujtojnë me të njëjtin përkufizim “Djemtë e detit”. E po kështu i ka nderuar edhe Federata Shqiptare e Notit (FSHN) dhe Shoqata e Veteranëve të Notit në Durrës.

Osmani, kampioni i vitit 1933 –

     Osman Rexha ka qenë një nga figurat më të njohura në qytet gjatë fëmijërisë dhe rinisë sime. Nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë, por njëlloj si bashkëqytetarët dija thuajse gjithçka me rëndësi që ai nxirrte nga goja dhe që në atë kohë konsiderohej sikur të ishte rubrika “Moti sot dhe nesër”.  Nga historitë e pafund që tregoheshin shtëpi më shtëpi në vitet 1960, më e famshmja qe bërë shprehja: “Nëse deti Adriatik ngrin, të gjithë durrsakët ikin në Itali me çorape”.

E kujtoj në krye të rrugës së Ambulancës, ku jam rritur bashkë me djemtë e tij, ku priste myshterinjtë në berberhane, ndërsa të gjithë shpresonin që Osman Rexha të thoshte batutën e ditës. “Edhe me ne fëmijët fliste pak, më thoshte para disa ditësh Luani, djali i madh i tij. Ka qenë kohë tjetër dhe ishte shumë e vështirë të merrje vesh, se çfarë kishte bërë më parë baba”.

Luani kujton se të jatit nuk i pëlqente që të bijtë të merreshin me not. “Ishte ftohur në mushkëri shumë vite më parë dhe mua më dukej se kjo gjë lidhej me notin.” Luan Rexha, i cili ka trashëguar edhe zanatin e berberit nga i jati, e quan veten me fat që rastësisht i ka rënë në dorë një revistë “Shekulli XX”, botim I vitit 1933. Vetëm aty është njohur me disa nga rezultatet sportive të të atit.

Osman Rexha duhet të ketë qenë 18 vjeç, kur në Kampionatin e Tretë kombëtar të notit në Shqipëri është shpallur kampion kombëtar në garën 200 metra stil i lirë me kohën 3’ 24”, shkruan kronika e kampionatit, ku i kushtohen dy faqe dhe tre fotografi. Në përfundim të garës 400 metra ai ka mbërritur i dyti. Prof. Vitorio Pelegati, një nga specialistët italianë që ndoqën kampionatin e zhvilluar në vitin 1933 në Durrës, shprehet për revistën “Shekulli XX”: E mirë ishte fitorja e Rexhës, por edhe ai si notarët e tjerë duhet të kujdeset më tepër për stilin”.

Nga bisedat me të atin, Luani kujton se Osmani përgatitej nga një trajner italian, i cili kujdesej edhe për ushqimin dhe dietën sportive. Luani ka notuar në periudhën 1967-1975, kryesisht në garat e stilit “delfin”, ndërsa ka qenë kampion me “Lokomotivën” e trajnerit Niko Kurani në garat stafetë 4 x 50 metra dhe 4 x 100 metra katërnotim. E mban mend mirë fjalën që i ka thënë i ati, Osman Rexha, kur filloi të pinte cigare. “Kur më pa me cigare, trajneri im më tha: Nuk do të bësh më hajër në not”. I kujton fjalët e të jatit, që vdiq shumë i ri, vetëm 61 vjeç, në vitin 1976, e po ashtu trishtohet që nuk arriti të flasë asnjëherë me të për sportin e notit, që, kush më shumë, e kush më pak, e ushtruan të gjithë xhaxhallarët.

                                                             – Pasioni familjar –

     Gjashtë vëllezërit e familjes Rexha nuk jetojnë më. Një pjesë e djemve dhe vajzave, tashmë prindër dhe gjyshër janë larguar nga vendi dhe të kërkosh të dhëna apo foto për ta nuk është e lehtë. Në këtë pikë, si gjithmonë më ka ndihmuar Mirban Kadiu, kampion edhe tani që është veteran i notit, i cili disa prej fotove i ka zmadhuar, e disa të tjera vazhdon t’i kërkojë. Megjithë vitet që ka mbi shpinë, më tregon se nga të gjashtë Rexhat, mban mend në korsitë e notimit më të rinjtë, Shyqyriun, Shuaipin dhe Rasimin, pa përfshirë nipin, Luanin.

Mira, vajza e vogël e Islamit thotë se i ati ka notuar pak në konkurime kombëtare, por sidoqoftë noti ishte pjesë e bisedave në familje. Vëllezërit Rexha punonin të gjithë. Përveç Osmanit që ishte berber, Dauti, Shuaipi dhe Rasimi punonin si marangozë, Islami ishte dentist, ndërsa Shyqyriu punonte si mekanik. Me 2-3 vite diferencë nga njeri tjetri, nga Osmani që ka lindur në 1915 deri te Rasimi, më i vogli i datëlindjes 1936, gjashtë vëllezërit notarë njiheshin si “Djemtë e detit” edhe në qytete të tjera, siç thotë notari shkodran Mendu Lishi. Dauti përveç kontributit si notar, ishte edhe boksier, ndërsa më vonë u shqua edhe si trompist në orkestrën frymore të qytetit.

Mjaft suksese ka regjistruar në historikun e notit Shuaip Rexha, i cili mbahet edhe sot si rekordmen i Maratonës së notit. “Në atë kohë gara zhvillohej dy orë notim pa ndërprerje dhe kush përshkonte distancën më të gjatë shpallej fitues”, thotë bashkëshortja, Shpresa Rexha.

Rezultati i arritur nga Shuaipi mbeti i njejtë edhe në dy kampionatet pasardhëse, deri kur kjo garë u hoq nga kalendari i notit.

Shpresa e Shuaip Rexha janë lidhur në fejesë në vitin 1958. “Jemi njohur në Elbasan, ku Shuaipi kishte ardhur për të punuar, por jo pak na ka bashkuar edhe sporti”, shprehet znj. Rexha, e cila së bashku me bashkëshortin kanë qenë për një kohë të gjatë gjyqtarë në veprimtaritë e notit në qytete të ndryshme të vendit. Në Durrësin e shekullit të kaluar janë disa familje me kontribute të veçanta në not, që konsiderohej si sporti i preferuar i qytetit bredetar dhe që ndiqej njëlloj si nga djemtë edhe nga vajzat dhe gratë sportdashëse. Me ndihmën e Mirbon Kadiut mësojmë se nga familja Bekirdheli kanë garuar Kristaqi, Luçia, Vjola dhe Valbona; nga familja Mullaliu njihen notarë Shabani, Flutura e Vjollca; Zydi dhe Qemal Mara janë dy vëllezër të tjerë notarë. Një vend të veçantë zenë motrat notare Golemi, Xhevria, Eglantina dhe Enite, dy nga të cilat kanë përfaqësuar vendin në veprimtari ndërkombëtare të viteve 1946 – 1947 në Split dhe Budapest . Në këtë pikë “Djemtë e Detit”, Osmani, Islami, Dauti, Shyqyriu, Shuaipi dhe Rasimi, e bëjnë dinastinë Rexha nismëtaren e masivizimit familjar të sporteve në qytetin e Durrësit.

/ATSH/