· Për herë të parë në nivelin e dytë edhe një grup për të drejtën detare, mes tyre kapiteni i portit të Durrësit Admir Sulaj
DURRËS, 11 mars 2015 – Pasditen e datës 10 mars 2015, në një nga sallat kryesore të universitetit publik “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD), u zhvillua ceremonia e diplomimit të studentëve që përfunduan ciklin e dytë të studimeve, master profesional dhe shkencor në fakultetin e shkencave politiko-juridike të këtij universiteti.
Në këtë ceremoni morën pjesë studentë, familjarë e miq të tyre, pedagogë e stafi administrativ i UAMD-së etj. Janë 135 studentë të këtij universiteti, që mbas një programi 2-vjeçar, morën master në administrim publik, financë, drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare, tregtare, menaxhim biznesi, dhe për herë të parë u diplomua një grup studentësh për të drejtën detare. Me këtë rast të pranishmit i përshëndetën rektori Prof. Dr. Mithat Mema dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Alfred Peza, të cilët vlerësuan punën, seriozitetin dhe përkushtimin e këtij brezi studentësh për t’u pajisur me dije dhe njohuri bashkëkohore në fushat e lartpërmendura. Ndërkohë nga studentët e sapodiplomuar folën Afërditë Puli (master profesional në administrim publik) dhe kapiteni i portit të Durrësit Admir Sulaj (master në të drejtën detare).
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Shefqet Kërcelli/





