Policia e Durrësit ka zhvilluar një sërë operacionesh gjatë 24 orëve të fundit, ku janë arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.

Mes tyre, një person u ndalua për ekzekutim vendimi gjykate dhe posedim të lëndëve narkotike, ndërsa disa të tjerë u proceduan për dhunë në familje, vjedhje, përndjekje, kanosje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Gjithashtu, Policia njofton se një 15-vjeçare e larguar nga banesa është kthyer shëndoshë e mirë në familje.

Njoftimi i plotë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve:
– ndaluan shtetasin E. B., banues në Durrës, pasi Gjykata e Durrësit më datë 24.06.2025 e ka dënuar me një vit burgim për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Gjithashtu, nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kanabis.

– referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. D., 20 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin T. H., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në lagjen nr. 15, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë, automjeti është përplasur me një automjet tjetër. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
– M. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij.
– N. Sh., 37 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur në një kult fetar.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 28.01.2026, rreth largimit nga banesa të një 15-vjeçareje, informojmë se ditën e djeshme është paraqitur shtetasi Y. M., i cili deklaron se vajza e tij është kthyer në banesë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. Xh., 57 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve telefonike ka shqetësuar një 47-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin J. LL., 34 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka përndjekur një 40-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak:

– arrestuan në flagrancë shtetasin B. E., 54 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. Gjatë kontrollit në banesë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu, të cilën e posedonte pa leje.
-shpallën në kërkim shtetasin L. I., 36 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur dy shtetas. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L.I, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një mjet prerës (thikë) dhe dy radio policie. Po punohet për kapjen e shtetasit L. I, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.