DURRËS, 9 dhjetor 2014 – Në fillimjavë, të hënën 8 dhjetor 2014, Dita e Rinisë, qytetari nr. 1 i Durrësit, z. Vangjush Dako, zhvilloi dy veprimtari.
TAKIM ME GRUPIN RINOR DURRËS
Kryebashkiaku Vangjush Dako zhvilloi një takim me të rinj durrsakë, pjesëtarë të Grupit Rinor Durrës (DYM), aktiv pranë Qendrës së Zhvillimit të Shoqërisë Civile. Ky event u zhvillua në kuadër të projektit “Të rrugëtojmë së bashku drejt proceseve vendim-marrëse” të CSDC Durrës, koordinuar nga Qendra Ndërkombëtare “Olof Palme” dhe financuar nga Qeveria suedeze.
Në takim u diskutua për shumë probleme që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të rinjtë, siç ishin ngritja e një qendre rinore, krijimi i një zëri më vete për të rinjtë në buxhetin e ardhshëm të bashkisë (mbështetje financiare për aktivitete promovuese në shërbim të komunitetit dhe çështjeve rinore), ngritja e Info Point për turizmin në 3 pika strategjike të qytetit të Durrësit në funksion të punësimit rinor dhe ngritjes së kapaciteteve rinore në fushën e turizmit (intershipe rinore), përfshirjen e grupeve rinore në aksione ambientaliste me ndikim për gjithë shoqërinë etj. U fol edhe për ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990.
Në fund të takimit kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako nënshkroi edhe marrëveshjen e bashkëpunimit për krijimin e Komisionit Këshillimor Rinor.
HOMAZHE NË MONUMENTIN E XHON LENONIT
Me rastin e 8 dhjetorit Ditës së Rinisë kryetari i Bashkisë së DurPo ashtu, kryebashkiaku Vangjush Dako ka bërë homazhe dhe ka vendosur një tufë me lule në monumentin e këngëtarit të famshëm britanik Xhon Lenon (John Lennon). Merrnin pjesë edhe një grup të rinjsh të qytetit të Durrësit, ku në një atmosferë të veçantë një i ri me kitarë ka luajtur disa melodi të hiteve më të famshëm të këngëtarit britanik.
Z. Dako tha se kjo ditë ka si pikënisje pikërisht 8 dhjetorin e vitit 1990, ditë kur në Akademinë e Arteve një grup studentësh u mblodhën dhe përkujtuan 10-vjetorin e vrasjes së Xhon Lenonit, nga ku filloi lëvizja studentore kundër regjimit.
Monumenti i John Lennon në Durrës është kthyer në një vend pelegrinazhi, pasi shumë të rinj e të reja të Durrësit por edhe turistë ndalen tek stoli ku gjendet monumenti duke bërë një foto me të. Monumenti në fjalë është vepër e skulptorit të njohur durrsak Qazim Kërtusha.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





