Durrës, 22 mars 2014 – Megjithëse ishte ndarë kohë më parë nga bashkëshortja e tij 21 vjeçare, një 24 vjeçar nga Durrësi duket se nuk ka dashur t’i ndërpresë aq shpejt lidhjet me të. Për më tepër, inati i akumuluar si pasojë e divorcit, e ka shtyrë atë që të hyjë në profilin e saj personal në Facebook duke bërë postime dhe komente të ndryshme nën emrin e ish-gruas së tij. Duket se i riu ka përfituar nga fakti se gjatë bashkëjetesës mes çiftit, ai dinte me hollësi të gjitha kodet e sigurisë për t’u futur në profilin e ish-partneres së tij.  

Kur 21 vjeçarja ka kuptuar që ish bashkëshorti i saj kishte vënë nën kontroll profilin e saj në rrjetin social dhe po tentonte të dëmtonte imazhin e saj para të afërmve dhe shoqërisë ka bërë denoncimin përkatës në polici.

Efektivët e rendit, pasi kanë verifikuar rastin në fjalë dhe kanë konstatuar se pretendimi i ngritur nga 21 vjeçarja ishte i saktë ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 24 vjeçarin A.K., banues në Durrës. Tashmë i riu duhet të përballet me akuzën për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Ndërkohë po një ditë më parë, një 18 vjeçar me iniciale D.Ç., nga Fushë Kruja, ka bërë kallëzim në polici se persona të panjohur kanë hyrë në profilin e tij në rrjetin social Facebook duke përdorur mesazhe fyese. Materialet iu kaluan Prokurorise Rrethit Gjyqesor Durres për veprën penale ”Hyrje e paautorizuar kompiuterike”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/