*Dy të moshuar kërkojnë urdhër mbrojtjeje në gjykatë: Djali dhe nusja na dhunojnë

*85-vjeçari: Djali më thyeu dorën, na thonë shkoni në azil në Kavajë

10 tetor 2015 – Durrsaku 85-vjeçar Ramazan Shehi dhe bashkëshortja 80-vjeçare Sania, janë prindër të 9 fëmijëve, 4 prej të cilëve djem. Askush prej tyre nuk e kishte menduar qënë këtë moshë, do të kërkonte urdhër mbrojtjeje nga gjykata, pas dhunës çnjerëzore të ushtruar nga djali dhe nusja një ditë më parë, për shkaqe banale.

“Djali më thyeu dorën, unë ndërhyra që nusja të mos godiste gruan time. Nusja iu sul gruas, djali po ashtu, unë ndërhyra, sepse thashë e vranë plakën. Djali më qëlloi mua e më shembi krahun duke thyer një prej gishtave. Vajta në spital, e në polici. Policia më çoi te mjeku ligjor, dhe ne kërkojmë vetëm të mbrohemi prej tyre. Ikni në Kavajë, në azil të pleqve na thotë nusja. Po unë dua të jetoj në shtëpinë time, edhe këto kohë që kam, se 85 vjeç vajta. Si mund të na përzënë kështu! As djali nuk i flet nuses po i mban krahun”.

80-vjeçarja kërkon vetëm që të jetojnë të qetë ditët që u kanë mbetur nga jeta.

“Nusja është në shtëpi, jetojmë në një apartament 2+1 së bashku me djalin, nusen dhe dy djemtë e tij. Bëjnë sherr për çdo gjë. Ne s’kemi fuqi, të përballemi me ta. Ata na rrahin se janë të rinj.

Dje kur erdha, i has jashtë, pashë nusen që po zihej me burrin. Nusja kishte derdhur ujë në shkallë dhe ai i thoshte që po të shkelnim atje do të rrëzoheshim. Ajo i thoshte: “Thefshi qafën të dy.” Kështu ndodhi dhe sherri u bë i madh”, thotë Sanija.

Pasi kanë marrë mbështetjen e policisë, të moshuarit drejtësinë e kërkojnë në gjykatë. “Atyre do t’ua lëmë shtëpinë kur të vdesim. Ua kemi premtuar. Por sa të jemi ne gjallë, të marrin shtëpi me qira, të ikin ose të gjejnë një zgjidhje tjetër. Fëmijët i rrita me shumë mundime, kam punuar në kantierin detar në riparimin e anijeve për 50 vjet. Të pësojmë të tilla gjëra në pleqëri nuk durohet”, thotë me lot në sy i moshuari. 

/K.H. portali DurresLajm/