Një 60-vjeçar nga Tirana kishte prerë biletën për të udhëtuar drejt Italisë me një nga tragetet e nisura nga porti i Durrësit, por dy objekte që ju gjetën në automjet e penalizuan.

Gjatë kontrollit të mjetit tip “Iveko”, në pronësi të shtetasit L.I, banues në Tiranë, policia kufitare e portit të Durrësit ka gjetur një bust me përmasa 30×25 cm dhe një vazo me përmasa 30×50 cm.

Duke dyshuar se këto dy objekte po tentonin të trafikoheshin jashtë shtetit, policia i ka kërkuar 60-vjeçarit dokumentacionin përkatës.

Pasi shtetasi L.I. ka deklaruar se nuk dispononte asnjë dokumentacion për objektet në fjalë, ato i janë sekuestruar nga policia.

Nga ana tjetër, efektivët e policisë kufitare kanë plotësuar edhe dokumentacionin përkatës dhe e kanë përcjellë këtë çështje në prokurorinë e Durrësit.

60-vjeçari L.I. do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.