DURRËS, 29 prill 2014 – Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (Kadastra) pranë Këshillit të Qarkut Durrës-Krujë, krahas librave të tokës që trashëgon, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar hartimit të Regjistrit të Tokës, ku pasqyrohen të gjithë treguesit fizikë dhe kimikë dhe pronësitë private dhe ato shtetërore.
Sipas të dhënëve zyrtare, deri më 31 dhjetor 2013 ka përfunduar plotësimi manual i Regjistrit të Tokës Bujqësore në 8 njësi vendore të qarkut dhe në mënyrë digjitale, në bashkëpunim me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë, ka përfunduar në 4 njësi vendore.
Një punë voluminoze është kryer edhe për digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit arkivor kadastral që disponohet, ku është përfshirë edhe sektori i informatikës pranë Këshillit të Qarkut.
Është realizuar përshkrimi i të gjithë librave kadastrorë të pronësive para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 108, dt. 29.8.1945 “Për reformën agrare”, dokumentacioni që pasqyron trajtimin me tokë të familjeve objekt i ligjit nr. 7501, dt. 19.7.1991, krahas kësaj po vazhdon edhe skanimi i këtij dokumentacioni si dhe i atij hartografik, përfshirë edhe hartat në shkallë 1:2500.
Gjatë vitit 2013 janë pritur dhe shqyrtuar mbi 600 kërkesa dhe ankesa të qytetarëve për probleme të ndryshme.
Janë pajisur me vërtetime për pronësi të vjetra 124 subjekte; me dokumentacione të ndryshme kadastrale si fragmente hartash, formular nr. 6, kategori toke e tjerë rreth 25 subjekte; me dokumentacion mbi reformën e tokës bujqësore për nevoja të ndryshme si pensione, asistenca, KEMP-e, kompensime e të tjerë, janë trajtuar afro 5 033 subjekte për rrethet Durrës dhe Krujë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





