DURRËS, 26 korrik 2013 – Një mundësi e mirë për të marrë zanat në port në kushtet e papunësisë së madhe, teksa shihet rritje e transportit detar dhe, për pasojë, nevojë për personel të kualifikuar; fakti që Autoriteti Portual Durrës ofron 15 lloje kursesh me nga 4-12 veta për kurs, ka mundësi që të hapen 60-180 vende të reja pune.
Autoriteti Portual Durrës (APD) do të organizojë nga 1 shtatori 2013 një sërë kursesh trajnimi, me synim rritjen e nivelit profesional të personelit, si dhe përgatitjen e të rinjve që kanë përfunduar shkollën e mesme.
Qendra e trajnimeve dhe Autoriteti Portual Durrës njoftojnë se me datë 29 korrik 2013 fillojnë regjistrimet për kurset e trajnimit profesional në 15 specialitete të ndryshme, të aplikueshme në hapësirat portuale të vendit, në orët 9.00-13.00 nga e hëna në të premte, pranë zyrës së qendrës së trajnimeve në APD; afati i fundit i regjistrimit është data 26 gusht 2013; kurset do të fillojnë më 1.9.2013. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka miratuar tashmë kurrikulat e formimit profesional të kualifikimeve me profesionet e aplikueshme në mjediset e porteve detare të vendit. Kurset teorike-praktike do të zhvillohen në mjediset e qendrës së trajnimit si dhe në terminalet portuale, duke shfrytëzuar mjetet dhe mekanizmat e disponueshme nga APD-ja. Kurset, me kohëzgjatje nga 45 deri në 522 orë, përfshijnë 15 trajnime dhe kualifikime në nivele të ndryshme si stivador, përgjegjës përpunimi anijesh, inspektorë sheshi dhe logjistike, si dhe planifikues e menaxherë terminali. Kualifikimet me periudha më të gjata kohore u kushtohen profesioneve të elektrovinçierëve dhe manovratorëve të karrelit dhe të Reach stacker. Numri i parashikuar i pjesëmarrësve në secilin prej kurseve do të jetë nga 4-12 veta.
Info
APD-ja ka hartuar programet e trajnimit teorik-praktik, duke u fokusuar në aftësimin praktik të kursantëve në profilet specifike të shërbimeve në terminalet portuale. Një grup pune me ekspertë të fushës së operacioneve portuale, duke u mbështetur edhe në udhëzimet e agjencisë kombëtare për arsim dhe formim profesional dhe nga shërbimi kombëtar i punësimit ka marrë shërbime konsulence edhe nga portet e zhvilluara evropiane. Përveç personelit të saj inxhinier-teknik, APD-ja do të përfshijë në stafin e qendrës së trajnimit edhe instruktorë të tjerë nga fusha e detarisë. Literatura e trajnimeve mbështetet kryesisht në konventat dhe kodet ILO, IMO dhe ISPS për sigurinë dhe shëndetin në porte, ato për mallrat e rrezikshme, planifikimin e operacioneve në porte, etj. Qendra e trajnimeve është rinovuar tërësisht disa muaj më parë, në kuadër të investimit të APD-së për ristrukturimin e godinave të institucioneve portuale. Ajo ka marrë pamjen e një minishkolle me gjashtë klasa, në të cilat mund të zhvillojnë përkatësisht mësim 16-32 kursantë njëherësh. Dy prej klasave janë pajisur tërësisht me kompjuterë. Një sallë me kapacitet 90 vetë në formën e një auditori do të shërbejë për leksionet dhe takimet e përbashkëta.
Ja profesionet
-Trajnim bazë për njohjen e portit
-Stivador i kualifikuar
-Brigadier stivadorësh
-Përgjegjës anijesh (foreman)
-Caktim personeli pajisjesh
-Planifikues operacionesh me anijen
-Inspektor sheshi, spontator ngarkim-shkarkimi
-Inspektor logjistike – dispeçer evadimi
-Planifikues terminali, sheshi dhe pozicioni
-Menaxher kryesor terminali
– Personeli i Sigurisë së Fasilitetit Portual
-Manovrator elektrovinçier
-Manovrator reach stacker
-Manovrator karreli Fork Lift
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





