Durrës, 4 gusht 2014 – Albi Dosti do të jetë organizatori dhe truri i skuadrës së Teutës për sezonin e ri. Mesfushori ka fituar eksperiencën e duhur gjatë këtyre sezoneve dhe shprehet i sigurt për përmbushjen me sukses të detyrës. Dosti theksoi se merr përsipër të gjitha përgjegjësitë që do t’i ngarkojë tekniku Hasan Lika, duke i përmbushur detyrat me sukses dhe vendosmëri.
“Jam gati të marr përsipër çdo detyrë që do të më ngarkojë trajneri dhe zotohem se do t’i përmbush me përpikëri. Ndihem në formë shumë të mirë fizike dhe tekniko-taktike, ndaj kam shumë besim në vetvete. Gjatë këtyre sezoneve kam fituar eksperiencën e nevojshme dhe ndihem gati për një sezon super. Kemi një skuadër kryesisht me elemente të rinj, por nuk mungojnë edhe lojtarët me eksperiencë, të cilët, duke u gërshetuar me njëritjetrin, formojnë një grup mjaft cilësor. Ndonëse është shumë herët për të folur, kam përshtypjen se do të jemi një skuadër e frikshme për çdo kundërshtar”, u shpreh fillimisht mesfushori. Duke vijuar më tej, Dosti u ndal duke u bërë një analizë përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa theksoi se mirëpret edhe ndonjë përforcim tjetër. “Sikurse theksova, kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët kanë harmoni mes njëri-tjetrit. Një pjesë e mirë e skuadrës ka vite që luan dhe stërvitet së bashku dhe normalisht ndihemi sikur jemi një familje. Puna në drejtim të përgatitjeve po ecën sipas parashikimeve dhe lojtarët thuajse e kanë marrë ngarkesën e nevojshme fizike”,- përfundon Albi Dosti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





