DURRËS, 5 maj 2014 – Dimri i butë, lagështia kanë ndihmuar për shumimin e dëmtuesve në bimë dhe pemë, alarmin e jep Dr. Lutfi Isufaj në një prononcim për “Dyrrah”-un.
Tani perimet dhe hardhitë i kërcënojnë morrat, merimangat, kroma, vrugu, hiri etj,, që janë shtuar në saj të një dimri të ngrohtë dhe lagështirës së pranverës, tha për “Dyrrah”-un Dr. Lutfi Isufaj, një nga shkencëtarët e njohur ndërkombëtarisht në fushën e mbrojtjes së bimëve.
Dr. Lutfiu pohoi se, ndonëse në pension, ditën e kalon në laboratorin e mbrojtjes së bimëve në Shkozet dhe nuk përton të lëshojë alarmin e “gjelbër”.
Për kulturën e patëllxhanit ai thotë se mund të dëmtohet nga pleshti i duhanit, breznia e parë e të cilit del në periudhën 18-25 maj, kurse në domate, patate, speca mund të bëjnë kërdinë vrugu, buburrecat, merimangat, krimbat etj.
Fermerët e Durrësit, ku ka sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta, duhet të kenë parasysh se po shfaqen hiri, vrugu i hardhisë, tenja, këpushat.
Jonxha ka problem hundëgjatët si dhe çimkën.
Edhe ulliri mund të dëmtohet nga tenja pambukorja dhe syri i palloit.
Dr. Isufaj sugjeron që fermerët duhet të prashisin, plehërojnë me nitrat dhe DAP, gjithmonë në konsultim me specialistët.
Në foto: Dr. Lutfi Isufaj, mirësjellje e Gëzim Kabashit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





