Po shkon drejt fundit investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura në një zonë që shtrihet në lagjet 7 dhe 10 të qytetit. Projekti në fjalë është hartuar nga dega teknike pranë UKD-së dhe ai shtrihet përgjatë rrugëve “Punëtorët e Rilindjes”, “Isuf Molla” dhe “Afërdita” në lagjen nr.7 si dhe në rrugët “Luftëtarët e Lirisë”, “Horizonti i Kaltër”, “Akropoli” dhe “Pompeu” që janë pjesë e lagjes nr. 10.
Projekti në fjalë u mundësua pas kërkesës së banorëve të zonës si dhe faktit se duke qenë një zonë e populluar vitet e fundit, ajo nuk ka pasur një rrjet të mirëfilltë kanalizimesh të ujërave të ndotura. Zona në fjalë gjendet në pjesën kodrinore të qytetit, në pjesën veriperëndimore të tij. Në të banojnë rreth 800 banorë dhe karakteristikë e ndërtimeve janë banesat private një dhe dy katëshe. Banorët kanë operuar deri tani me gropa septike, të cilat janë ndërtuar jashtë kushteve teknike dhe shkaktojnë filtrime të ujërave të ndotura duke sjellë probleme edhe në infrastrukturën e zonës.
Shkarkimi i ujërave të ndotura të linjave kryesore do të bëhet në kolektorin ekzistues dhe prej andej ato do të shkojnë në impiantin e trajtimit në Shënavlash. Për sistemimin e ujërave të ndotura në këtë zonë, dega teknike ka parashikuar ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, ku tubacioni kryesor i kanalizimit do të realizohet me tubacion të brinjëzuar HDPE SN8 Ø 315 mm me gjatësi 515 m, ndërsa linjat sekondare me tubacion të brinjëzuar HDPE SN8 Ø 250 mm me gjatësi 875 m si dhe tubacion HDPE SN8 Ø 200 mm me gjatësi 670 m.
Projekti ka marrë në konsideratë ato objekte që nuk janë përfshirë në projektin e mëparshëm të kanalizimit duke sistemuar në këtë mënyrë të gjithë zonën me rrjet të ri kanalizimi. Shkarkimi i linjës kryesore të kanalizimit tubacioni i brinjëzuar Ø 315 mm do të bëhet në kolektorin ekzistues përkatësisht tubacion Ø 1500 mm beton-arme në rrugën “Isuf Molla” dhe në këtë linjë eshte parashikuar ndërtimi i 21 copë puseta shkarkimi, duke zbatuar kriterin e vendndosjes së tyre në zonat ku ka kryqëzime me rrugët dytësore të zonës.
Gjithashtu për këtë linjë është parashikuar dhe ndërtimi i pusetës beton/arme 1.5 x 1.5 x 2.5 m mbi kolektorin ekzistues ku do të bëhet shkarkimi i linjës kryesore të re. Pusetat e shkarkimit janë parashikuar të jenë beton-arme, me përmasa 80 x 80 cm dhe në varësi të diametrit të tubacionit, me kapak gize dhe në cdo pusetë është llogaritur dalja e tubacioneve të shkarkimit të ujërave të ndotura të objekteve të zonës. Ndërtimi i këtij rrjeti kanalizimi, konsiston në eliminimin e ndërtimit jashtë kushteve teknike të gropave septike, si dhe të garanatojë një mjedis të pastër pa praninë e ujërave të ndotura në sipërfaqe. Në total, projekti parashikon ndërtimin e 1700 meter rrjet shpërndarës si dhe 80 puseta shkarkimi.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, u shpreh se me këtë investim zona kodrinore e ka të zgjidhur problemin e kanalizimeve dhe të ujit të pijshëm.
“Jemi drejt përfundimit të investimit të kanalizimit të ujërave të ndotura në lagjet 7 dhe 10 në qytetin e Durrësit. Kjo është një zonë kodrinore që është populluar gjatë viteve të fundit dhe deri tani kanë operuar me gropa septike dhe nuk kanë pasur infrstrukturë të mirëfilltë nëntokësore. Me investimin tonë, i cili parashikonte hapjen e 1700 ml kanalizime dhe 80 puseta kontrolli, ne do ta zgjidhim një herë e mirë problematikën nëkëtë zonë. Projekti është hartuar nga dega teknike e Ujësjellës Kanalizime pas ankesave dhe kërkesave të banorëve të zonës”.
Kryeinxhinieri i UKD-së Gerald Dautaj, shprehet se pas innvestimit disa vite më parë për ujin e pijshëm, tashmë kjo zonë ka edhe një rrjet funksional të ujërave të ndotura.
“Para disa vitesh kemi nisur investimet në këtë zonë përsa i përket ujit të pijshëm, i cili ka përfunduar dhe tani zona furnizohet me ujë të pijshëm rregullisht, ndërsa pjesa e fundit ishte pjesa e kanalizimeve për shkarkimin e ujërave të zeza. E gjithë zona mbulohet 100 përqind përsa i përket pjesës së kanalizimeve dhe po 100 përqind edhe në furnizimin me ujë”.





