· Këshilli bashkiak do të miratojë privatizimin e objekteve publike me të drejtë parablerjeje nga familjet Tataveshi, Kuçi dhe Kota
DURRËS, 3 korrik 2014 – Bashkia u “jep duart” katër ish-pronave shtetërore, nga të cilat tri ndërmarrje industriale të fuqishme, ku ishin punësuar para viteve 1990 qindra punëtorë (Riveshja e Gomave, Ndërmarrja e Prodhimeve Artizanale, Parku i Eksportit) duke i privatizuar, me të drejtën e parablerjes ish-pronarëve të ligjshëm të trojeve, familjeve Tataveshi, Kuçi dhe Kota.
Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të Durrësi, më 10 korrik 2014, bashkia do të paraqesë katër projektvendime të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pronat publike të kësaj njësie vendore.
Riveshja e Gomave për familjen Kuçi
Në relacionin e projektvendimit për miratimin për privatizim të ish-ndërmarrjes së riveshjes së gomave, thuhet se për vet planimetrinë e këtyre aseteve, pozicionin gjeografik (është ngjitur me murin rrethues të pjesës perëndimore të NISH Gomës), që nga viti 2000 e deri me sot bashkia nuk ka arritur të nxjerrë asnjë të ardhur apo t’i përdorë për interesa publikë. Miratimi i projektvendimit do të sillte zbatimin e një detyrimi ligjor që ka pushteti qendror me strukturat e saj ndaj pronarëve, familjes Kuçi, do të realizonte një kërkesë të pronarëve të mohuar ndër vite, si dhe do të parandalonte degradimin e mëtejshme të objekteve ndërtimore, si dhe do t’i hiqte një barrë Bashkisë Durrës, për detyrimet që ka për mirëmbajtjen e këtyre aseteve, dhe hap rrugën për sistemimin e materialeve kryesore, të xhiros dhe inventarit ekonomik në kontabilitet të kësaj ndërmarrje, thotë Bashkia.
NPA dhe Parku i Eksportit për familjen Tataveshi
Në mbledhje do të diskutohet edhe projektvendimi për miratimin për privatizim të magazinës njëkatëshe me sipërfaqe 606.7 m², e ndodhur ne lagjen nr. 14, në inventar të ish-ndërmarrjes së prodhimeve artizanale (NPA), pronë e bashkisë. Këshilli i Ministrave me Vendim nr. 378, datë 12.08.1999 “Bashkisë Durrës i kaluan të drejtat reale dhe mbi një pjesë të aseteve të ish-ndërmarrjes së Prodhimeve Artizanale (NPA), ku një pjesë e aseteve të kësaj ndërmarrjeje janë të ngritura në truall pronari të familjes Tataveshi. Kjo familje do të pëfitojë dhe nga projektvendimi mbi miratimin për privatizim të aseteve të emërtuara kovaçhanë magazine rikupero me sipërfaqe ndërtimi 418 m², magazinë me sipërfaqe ndërtimi 916.7 m², kapanon me sipërfaqe ndërtimi 114.5m², vendroje me sipërfaqe ndërtimi 31.5 m² në inventar të ish-ndërmarrjes Parku i Mallrave të Eksportit, prone e bashkisë.
Vila 12 në Plazh, për familje Kota
Këshilli bashkiak do të shqyrtojë praktikën e privatizimit të vilës nr 12, në inventar të Ndërmarrjes Komunale, pronë e Bashkisë dhe sipas kompetencës, do të japë miratimin për vazhdimin e procedurës së privatizimit nëpërmjet ministrisë së linjës. Familja Kota ka kërkuar fillimin e procedurave për ushtrimin e të drejtës së parablerjes të objektit të emërtuar Vila 12. Nga informacioni i ardhur nga Ndërmarrja Komunale Plazh, rezulton se në Vilën 12, në një pjesë të saj, janë kryer punime nga investitor privat, duke ngritur një kat, që do të thotë se është zbatuar vendimi nr. 682, datë 17.11.1994 i Komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave ish-pronarëve Durrës. Ndërsa për pjesën tjetër të truallit ku është ngritur një pjesë e objektit Vila nr. 12, trashëgimtarëve u lind e drejta e parablerjes nëse do të privatizohet. Referuar shkresës së sipërcituar, rezulton se që nga viti 1990 e deri më sot, në objektin Vila 12 janë vendosur (sistemuar) për strehim 29 familje.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





